U ftuan për të shpalosur programin e tyre politik por përfaqësueset e BDI-së dhe ASH-së , Arta Bilalli Zendeli dhe Ilire Dauti filluan menjëherë me përplasje. Arta Bilalli-Zendeli nga BDI tha se Ilire Dauti ka ofenduar nxënësit shqiptarë. Ndërhyri Dauti duke thënë se kjo është shpfije.
“Zonja në fjalë ka dërguar njëherë një kritikë dhe ofendim shumë të madh ndaj nxënësve dhe studentëve shqiptarë. Dallimi mes kuadrove tona dhe kuadrove të atyre është se ne kur shohim një dukuri negative ne i qasemi dhe e trajtojmë atë sepe pikërisht ato nxënës dhe studentë të cilët i ka ofenduar znj. Ilire Dauti se janë analfabetë”, tha Arta Bilalli Zendeli, BDI.
“A duhet të lejoj të flasësh ose duhet më të vërtetë të të ndërpres sepse po bën shpifje në mënyrë publike. Se i kam të qarta unë këto punët tuaja. Znj. Arta a e di që je duke shpifur publikisht dhe të kërkoj urgjentisht të kërkosh falje”, tha Ilire Dauti, ASH.
Premtimet e BDI-së janë si balona heliumi të cilët fluturojnë pasi të përfundojnë zgjedhjet dhe pasi që BDI t’I ketë marrë votat e shqiptarëve, tha Dauti.
“Programet e BDI-së unë do t’I quaja si balona heliumi sepse ato kanë qëndruar në duart e tyre deri sa kanë marrë mandatet dhe mandej kanë fluturuar lart dhe kush më nuk i ka parë. Ato premtime kurrë s’u bënë realitet fluturuan diku lart pas zgjedhjve”, tha Ilire Dauti, ASH.
Zendeli tha se është për të ardhur keq që partitë shqiptare e shohin idenë për kryeministër shqiptar si një ëndërr.
“Idenë për kryeminsitër shqiptar fatkeqësisht edhe këtu e dëgjoj se plasohet si ëndërr që në realitet është për të ardhur keq dhe kjo e bën dallimin mes BDI dhe partive tjera, sepse ne nuk i shohim shqiptarët si individë inferiorë ndaj të tjerëve por i shohim si persona të denjë dhe që kanë kapacitet për të bartur funskionet kryesore në një shtet”, tha Arta Bilalli Zendeli, BDI.
Bilalli tha se qëllimi i Aleancës për Shqiptarët për president shqiptar ishte një ëndërr sepse kjo është e parealizuashme pa ndryshime kushtetuese, ndërsa kryeministri shqiptar është më lehtë të sigurohet nëprmjet votave në parlament. Debati eskaloi me akuza të rënda ndaj njëra-tjetrës duke shkuar edhe në fyerje personale e shprehja më e përdorur ishte “ti nuk mund të më tregosh mua se çfarë duhet të flas dhe si duhet të sillem”.
