Davkova BE-së: Cinizëm dhe hipokrizi është pritja! Ballkani Perëndimor nga Shqipëria kërkon përshpejtim të eurointegrimeve

TË FUNDIT

Një vizion i përbashkët për një Evropë paqësore, stabile dhe të bashkuar, por edhe një frustrim i përbashkët nga ritmi i ngadaltë i eurointegrimeve. Ky është përfundimi nga samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Brdo-Briuni. Nikoqirët, presidenti i Shqipërisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, konfirmuan mbështetjen për zgjerimin, por mesazhet nga vendet kandidate ishin më të drejtpërdrejta. Më eksplicite ishte presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova.

“Unë hapur thashë se është cinik, se është hipokrizi të kërkoni nga dikush të jetë rezistent ndaj ndikimeve të treta duke e lënë në korridor ose, nëse doni, para dyerve të Bashkimit Evropian”, theksoi Gordana Siljanovska-Davkova, Presidente RMV.

Se procesi duhet të përshpejtohet, veçanërisht në kontekst të luftës në Ukrainë dhe sfidave të sigurisë, u pajtua edhe presidentja sllovene Natasha Pirc Musar. Ajo theksoi se në pyetje janë paqja dhe stabiliteti i gjithë kontinentit.

“Dhe shpresoj që të gjitha 27 vendet-anëtare do ta njohin nevojën për përshpejtim të procesit. Pra, Sllovenia do të vazhdojë të jetë promotore. Dhe ne do të vazhdojmë të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për ta përshpejtuar procesin. Duhet të jenë dy për tangon, zakonisht themi. Pra, Sllovenia nuk mjafton. Tashmë ka shtatë ose tetë vende që mbështesin votimin me shumicë të kualifikuar. Por, në fund, na duhen 27. E di për këtë. Por nuk do të thosha se projekti evropian po vdes”, u shpreh Natasha Pirc Musar, presidente e Sllovenisë.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj theksoi se mbështetja për BE-në në vendin e tij është e madhe sepse qytetarët besojnë në vlerat evropiane.

“ Shqipëria, deri tani, deri tani, e kemi përballuar shumë mirë. Hapëm pesë nga gjashtë klaserët dhe duam, dhe qëllimi ynë strategjik është të hapim të gjithë klasterët deri në fund të vitit 2025. T’i përfundojmë të gjitha, t’i mbyllim klasat në vitin 2027, dhe pastaj të kemi atë vullnet politik, miratim nga Bashkimi Evropian për të qenë pjesë e anëtarësimit në BE”, u shpreh Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Presidenti kroat Zoran Milanoviq, me ton më kritik, paralajmëroi Brukselin të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shoqërive që janë të ndara.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë i kujdesshëm se ku dhe si shkon. Ekzistojnë shoqëri që nuk janë homogjene në kuptim social, ekonomik në lidhje me perceptimin historik, si shoqëria sllovene apo shoqëria kroate. Ekzistojnë shoqëri që janë të ndara. Dhe të ndërhysh tek ato dhe të intervenosh nga jashtë, të ndikosh në ndryshimin e qeverisë përmes formave të ndryshme dhe presionit në të cilin Bashkimi Evropian nuk është i pafajshëm, mund të jetë sjellje shumë e pakujdesshme dhe mund të shkaktojë probleme diku”, u shpreh Zoran Milanoviq, President I Kroacisë.

Liderët përshëndetën gjithashtu Planin për Rritje të BE-së prej 6 miliardë eurosh, të dedikuar për përmirësimin e reformave, por qëndrimi i përbashkët është se ndihma financiare nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin e plotë. Në deklaratën e përbashkët, ata konfirmuan përkushtimin ndaj integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal gjithëpërfshirës, me qëllim një Evrope të begatë dhe të bashkuar.