Davidoviq thotë se veprimi i Prokurorisë është “joserioz”: Si mund të deklarohet dikush për fajësi nëse s’ka nga çfarë të lexojë për çfarë akuzohet?

TË FUNDIT

Avokati Zvonko Davidoviq, mbrojtës i njërit prej të akuzuarve në rastin e zjarrit tragjik në disko “Puls” në Koçan, reagoi ashpër ndaj mënyrës së dorëzimit të aktakuzës së ndryshuar. Ai deklaroi para mediave se Prokuroria ka bërë gabime serioze dhe se një veprim i tillë po e zvarrit procesin.

„Në opinion vazhdimisht dëgjohet se avokatët duan të zvarrisin procedurën. Sot u tregua se nuk është ashtu — Prokuroria po bën gabime dhe po e tërheq procesin,“ deklaroi Davidoviq.

Sipas tij, problemi kryesor është se versioni i integruar i aktakuzës — i cili, sipas pretendimeve të tij, përmban një kornizë kohore të zgjeruar krahasuar me dokumentin fillestar — nuk u është dorëzuar as të akuzuarve, as avokatëve të tyre.

„Ne si mbrojtës nuk jemi të akuzuar. Në sallën e gjyqit jemi për t’i përfaqësuar të akuzuarit, të cilët duhet ta dinë për çfarë po ndiqen penalisht. Asnjëri prej tyre nuk e ka marrë aktakuzën. Si mund të deklarohet dikush për fajësi nëse nuk mund ta lexojë për çfarë akuzohet?“ pyeti avokati.

Davidoviq vlerësoi se një veprim i tillë është “joserioz” dhe vë në pikëpyetje drejtësinë e procedurës, veçanërisht në momentin kur pritet deklarimi zyrtar i të akuzuarve për fajësinë.