Dauti akuzon Xhaferin për shkelje të Rregullores, Ademi thotë se ASh është aleate e partisë së Apasievit

TË FUNDIT

Dita e dytë e seancës plenare për zgjedhjen e Qeverisë së re ka filluar me kritika nga deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti ndaj kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Ajo akuzoi Xhaferin se po shkel Rregulloren e punës së Kuvendit pasi nuk respekton listën e deputetëve që janë paraqitur për të mbajtur fjalim. Dauti tha se edhe asaj si koordinatore e grupit parlamentar, i është mohuar një gjë e tillë.

“Kjo padrejtësi e cila na u bë nga ana e krye parlamentarit me përpilimin e listës së re sot, ku përjashtohet deputeti ASH-së që të fillonte sot seancën me fjalimin e tij kërkoj që të rishqyrtohet dhe të vazhdohet me listën ashtu siç jemi marr vesh dje. Përndryshe jam e detyruar të thirrem në nenin tjetër 80, i cili thotë se lista e deputetëve nuk mund të ndryshohet dhe plotësohet gjatë shqyrtimit . Prej dje deri sot kemi tre nene të cilat në mënyrë flagrante janë shkelur nga kryeprlamentari”, tha Dauti.

Por në replikën e tij Xhaferi tha se nuk shkel asnjë ligj dhe këshilloi Dautin që t’i lexojë ligjet mirë. Më pas vazhduan debatet dhe akuzat ndaj formatit qeverisës. Deputetja Bllagica Llazoska nga VMRO-DPMNE tha se qeveria Zaev në këto pesë vite nuk ka ngulur asnjë gozhdë dhe sipas saj kjo ka qenë qeveria më jo punëtore në historinë e RMV-së.

“I thjeshtë është perceptimi se jo punëtorë të këtillë, kleptomanë të këtillë si ju, nuk ka pasur në historinë e Republikës së Maqedonisë, deri në këtë gjendje për këta 5 vite e sollët ju, qeveria e Zaevit, dhe seriozisht nuk shoh se si kjo qeveri do ta rregullojë këtë. Dhe ju lutem lërni më me këto lotët sepse asnjë investim të huaj nuk sollët, asnjë gozhdë nuk ngulët, deri më kaq një Qeveri jo punëtore nuk është parë në historinë e shtetit”, Bllagica Llasoska – deputete e VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i së Majtës Dimitar Apasiev as sot nuk la pa përmendur mungesën e Kastriot Rexhepit në seancën kur duhet të votohej përbërja e qeverisë së re pas zgjedhjeve lokale. Ai tha se nuk bëhet shteti duke kidnapuar deputetë vetëm e vetëm që të mbahet pushteti. I menjëhershëm ishte reagimi i Arbër Ademit nga BDI-ja i cili e quajti Apasievin zullum të shtetit, ndërsa ASH-në si bashkëpunëtore të partisë së Apasievit.

“Ju zotëri Apasiev jeni keni trend të bëni zullum, me qëndrime të strategjive ndarëse. Ju keni arritur të gjeni aleatë, keni arritur që të gjeni ASH si aleat i juaji dhe të fotografoheni bashkë publikisht, të buzëqeshni publikisht sepse keni arritur përbërje të re qeveritare me 61 deputetë, por nuk keni vizion se çka më tej”, tha Ademi.

Seanca vazhdoi me akuza dhe kudër akuza edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Seanca filloi dje, ndërkaq votimi i Qeverisë së re duhet të bëhet para mesnatës.