Danimarka do të marrë kryesimin me BE-në! Bjere: Ju lutem shfrytëzojeni momentin, ne nuk mundemi vetë!

TË FUNDIT

“Ju lutem shfrytëzojeni momentin”, tha Ministrja e Danimarkës për Çështjet Europiane, Marie Bjerre, vendi i së cilës më 1 korrik merr kryesinë e Bashkimit Europian. Duke folur nga Shkupi, ajo theksoi se zgjerimi do të ishte një përparësi kyçe për Danimarkën për shkak të agresionit rus dhe, siç shtoi, erërave të reja nga Uashingtoni. Megjithatë tha se Maqedonia ka detyrimet e veta.

“Jam këtu për të punuar në mënyrë konstruktive me Maqedoninë e Veriut për të parë se ku mund të bëjmë përparim, sepse nuk mund ta bëjmë vetë. Përparimi duhet të bëhet nga Maqedonia e Veriut, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm – ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që ju të mund të bashkoheni me BE-në. Por ne do të bëjmë atë që mundemi”, tha Mari Bjere, ministre për Çështje Europiane e Danimarkës.

Sipas saj Unioni në gjendjen e re gjeopolitike do të jetë më i fuqishëm nëse është më i madh, me çka u pajtua edhe ministri Orhan Murtezani.

“Lufta në Ukrainë është agresion rus dhe të gjithë ne jemi pjesë e atij kërcënimi”, tha Orhan Murtezani, ministër për Çështje Europiane.

Murtezani kërkoi nga kolegia e tij nga Danimarka që të mos ketë çështje dypalëshe për procesin për Maqedoninë.

“Çështjet dypalëshe duhet adresuar mes anëtareve, mes fqinjëve në mënyrë dypalëshe, por ta mos kontaminojnë procesin e aderimit në BE”, deklaroi Orhan Murtezani, ministër për Çështje Europiane.

Sipas ministres Bjere, tani për tani progres më të madh në rrugën drejt BE-së kanë Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi.