Autoritetet e ushqimit në Danimarkë dhe Finlandë njoftuan se kompania italiane Ferrero ka tërhequr seritë e caktuara të produkteve të çokollatës Kinder me dyshimin për një lidhje mes produkteve dhe epidemisë së salmonelës.
Në deklaratën e bërë nga Administrata Daneze e Veterinarisë dhe Ushqimit si dhe nga Autoriteti Finlandez i Ushqimit, thuhet se Ferrero ka tërhequr produktet e çokollatës Kinder për shkak të lidhjes së mundshme me rastet e salmonelës.
Prania e salmonelës në çokollatë është veçanërisht kritike, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se përmbajtja e lartë e yndyrës së çokollatës do të jetë një faktor mbrojtje për bakteret e salmonelës kur ato të kalojnë përmes acidit të stomakut.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi se produktet e çokollatës janë përcaktuar si “arsyeja e mundshme e infeksionit” dhe se kryesisht janë prekur fëmijët nën moshën 10-vjeç.
Zyrtarët evropianë të shëndetësisë kanë theksuar se po hetojnë epideminë e salmonelës që “zhvillohet me shpejtësi” tek 134 fëmijë.
Seri të caktuara të produkteve të çokollatës Kinder janë tërhequr më parë edhe në Belgjikë, Francë, Gjermani, Irlandë, Luksemburg, Britani, Suedi dhe Norvegji.
Në Britani pasi 63 fëmijë u infektuan me salmonelë në një epidemi të lidhur me vezët Kinder Surprise, kompania Ferrero tërhoqi si masë paraprake dy seri të vezëve me datë skadence 11 korrik – 7 tetor.
Grupi Ferrero nga raftet e marketeve në Francë ka tërhequr tonelata produkte të çokollatës Kinder të prodhuara në Belgjikë, me dyshimin se ato mund të përmbajnë baktere të salmonelës.
Në mesin e simptomave të salmonelës përfshihen diarre, të vjella, të përziera në stomak dhe temperaturë.
Në shumicën e rasteve simptomat zhduken brenda disa ditëve, ndërsa herë-herë mund të jetë e nevojshme dërgimi në spital për ata që janë në moshë të vogël dhe me sistem të dobët imunitar.
