Dakordohet data për zgjedhjet e parakohshme! Bogojeski me padi penale kundër Derkovskit dhe Kryeministrit Spasovski

TË FUNDIT

Marrëveshja për 15 korrikun si date përfundimtare për mbajtjen e zgjedhjeve “e bëri lëmsh” matematikën zgjedhore të disa partive rreth fillimit të fushatës parazgjedhore. Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas rregullativës zgjedhore, në qoftë se zgjedhjet mbaheshin më 5 korrik, në pajtim me afatet, sot duhej të fillonte fushata zgjedhore – 20 ditë para ditës së votimit. 

Petar Bogojeski nga “Koncepti Maqedonas”, zyrtarisht e nisi fushatën me promovim të sloganit të partisë së tij amë “Shans i fundit”. Ai thotë se do të ngrisë padi penale kundër kryetarit të KSHZ-së, Oliver Derkovski dhe kryeministrit Oliver Spasovski, sepse nuk e kanë mundësuar fillimin e fushatës dhe mbajtjen ligjore të zgjedhjeve, sepse siç tha, dekreti me të cilin u shtynë zgjedhjet është i qartë dhe i njëjti parasheh vazhdim të procesit zgjedhor menjëherë pas skadimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

-“Në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet, zgjedhjet duhet të mbahen më 5 korrik. Ne sot e respektojmë dhe praktikojmë ligjin, për të treguar qëndrim të ndryshëm politik, për dallim prej asaj që e shohim tani. Nuk ekziston samit apo tubim të liderëve. Ata janë krejtësisht jashtë Kushtetutës dhe ligjeve me bërjen pazar me datën e zgjedhjeve,” tha Petar Bogojeski, “Koncepti Maqedonas”. 

Edhe koalicioni Aleanca për shqiptarët-Alternativa bëjnë me dije se e nisin fushatën e tyre politike për zgjedhjet e ardhshme nën moton “Tash është koha”.

-“Ka ardhur koha që edhe tek shqiptarët të vijë demokracia. Tash është koha për ndryshime tek shqiptarët. Tash është koha për të drejta të barabarta! Tash është koha për investime edhe për shqiptarët! Tash është koha për drejtësi që nuk i përzgjedh qytetarët në bazë të përkatësisë etnike, fetare e politike! Tash është koha për arsim cilësor! Tash është koha për shëndetësi të mirëfilltë! Tash është koha për shtet për të gjithë!” U tha nga koalicioni ASH-AAA

Slogani i BDI-së “Pse jo?” i cili u paraqit në kështjellën e Kalasë së Shkupit, është vazhdim i fushatës që tashmë e ka nisur BDI-ja. Ata paraprakisht vendosën një bilbord me mesazh se qytetarët kanë 3 opsione. Nënkryetari i integristëve, Izet Mexhiti, tha se për herë të parë në histori qytetarët kanë mundësi të trefishtë dhe se ka ardhur koha për një kryeministër shqiptar.