Virusi Covid-19 çdo ditë e më shumë po merr jetë të mjekëve. Viktima e radhës është doktori 50 vjeçar nga Tetova, Vlladimir Eftimovski. Ai vetëm para një jave u diagnostikua me koronavirus dhe kishte edhe sëmundje tjera kronike, me çka mbrëmë vdiq në Spitalin Infektiv të Shkupit, ku ishte i hospitalizuar.
Virusi ka depërtuar tashmë në Kuvend, e deputetja e radhës që u infektua është Monika Zajkova nga PLD (Partia Liberale Demokratike). Ajo tashmë është hospitalizuar dhe rrëfen për gjendjen e saj shëndetësore nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Si ndihem, temperatura e trupit tim nuk bie nën 38.5, ndjehem e pafuqishme, të vjella dhe lodhje. Jam diagnostikuar në fazën fillestare të pneumonisë. Unë nuk dua që kjo të tingëllojë si frikësim, por më shumë si maturi, sepse nganjëherë mund të jetë tepër vonë”, thotë Monika Zajkova – deputete.
Kryetari i Komunës së Demir Hisarit, Marjançe Stojanovski poashtu bëri të ditur lajmin se ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
“Edhe krahas gjitha masave rekomanduese nga institucionet kompetente shëndetësore për mbrojtje dhe parandalim nga virusi korona, ku i kam respektuar në tërësi, pas testit të sotëm për Kovid-19 jam pozitiv”, ka shkruar Stojanovski në Fejsbuk.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe apelon te qytetarët për kujdes më të madh, duke kujtuar sakrificën e punonjësve shëndetësorë.
“Ajo që po kërkojmë si punonjës shëndetësorë është me të vërtetë pak, vetëm të kujdeseni për shëndetin tuaj. Të gjithë ne kemi sakrifikuar diçka nga jeta jonë këtë vit. Për disa nga ne, sakrificë nënkuptonte më pak financa, humbje e punës, pamundësi për tu takuar me të afërmit tanë. Për të tjerët kjo domethënë muaj e muaj punë pa pushim. Për të tretët sakrificë domethënë humbje e shëndetit ose humbje e jetës. Sa do t’i respektojmë masat mbrojtëse do të rezultojë me atë se sa do të sakrifikohemi deri në fund të pandemisë”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Javën e kaluar kishim mbi 1000 të infektuar në bazë ditore, por situata me pandeminë si duket pritet të përkeqësohet edhe më tepër siç kanë paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë. E informacionin e potencoi edhe Kryetari i Lidhjes së Specializantëve dhe Mjekëve të Rinj Nenad Llazov. Sipas tij, javët në vijim na presin shifra edhe më të larta të të infektuarve.
“Tjetra javë do të jetë edhe më e keqe, sepse ne nuk kemi ndërmarrë asgjë serioze dhe drastike, unë jam i bindur që epidemia është larg “lodhjes” natyrore nga ajo që unë shoh tek pacientët e mi, të cilët janë një shembull i shkëlqyeshëm statistikor në shumë aspekte.
Sikurse javën e kaluar, edhe tani, fyeni dhe ofendoni sa të doni, mendoni ndryshe, kjo nuk e ndryshon situatën në asnjë mënyrë”, potencoi Nenad Llazov – mjek.
Përndryshe nga fillimi i pandemisë deri më tani kanë ndërruar jetë 1.110 persona nga komplikimet e shkaktuara, ndërkaq me korona janë infektuar 38.782 qytetarë.
