Bashkimi Evropian do të mbështesë Groenlandën dhe Danimarkën kur të jetë e nevojshme dhe ne nuk do të pranojmë shkelje të së drejtës ndërkombëtare kudo që ato ndodhin, tha sot Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
“Lidhur me Groenlandën, më lejoni të jem i qartë: Groenlanda i përket popullit të saj. Asgjë nuk mund të vendoset për Danimarkën dhe Groenlandën pa Danimarkën dhe pa Groenlandën”, tha Costa në një fjalim që shënonte marrjen e presidencës së radhës të BE-së nga Qiproja.
“Ata kanë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian”, shtoi Costa.
Presidenti amerikan ka thënë vazhdimisht ditët e fundit se dëshiron të marrë kontrollin e Groenlandës, duke thënë se ishulli është çelësi i strategjisë ushtarake amerikane dhe duke pretenduar se Danimarka nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.
Costa tha se Qiproja po merrte përsipër frenat e Këshillit të BE-së në një kohë kur rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla ishte nën sulm dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së t’u rezistojnë këtyre zhvillimeve.
“Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë shkelje të së drejtës ndërkombëtare, qoftë në Qipro, apo në Amerikën Latine, Groenlandë, Ukrainë apo Gaza”, tha Costa.
“Evropa do të mbetet një mbrojtëse e vendosur dhe e palëkundur e së drejtës ndërkombëtare dhe multilateralizmit”, shtoi zyrtari i BE.
