CNN: Hakerët kanë depërtuar në sistemet e matjes së rezervuarëve në pikat e karburantit në SHBA, dyshohet se Irani është përgjegjës

TË FUNDIT

Autoritetet amerikane dyshojnë se hakerë iranianë qëndrojnë pas një serie depërtimesh në sistemet që monitorojnë sasinë e karburantit në rezervuarët që furnizojnë pompat e benzinës në disa shtete, raportoi ekskluzivisht CNN.

Hakerët kanë shfrytëzuar sistemet automatike të matjes së rezervuarëve që ishin të lidhura online dhe të pambrojtura me fjalëkalime, duke ndryshuar leximet në ekranet e rezervuarëve, por jo nivelet reale të karburantit brenda tyre.

Sulmet kibernetike kanë shkaktuar shqetësim për sigurinë, shkruan CNN, pasi qasja në këto sisteme teorikisht do t’i mundësonte një hakeri të fshehë edhe rrjedhjet e gazit.

Nëse konfirmohet përfshirja e Iranit, ky do të ishte rasti më i fundit i një kërcënimi nga Teherani ndaj infrastrukturës kritike në SHBA.

Një raport i “Sky News” nga viti 2021 kishte cituar dokumente të brendshme të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, ku sistemet ATG janë përmendur si një objektiv potencial për një sulm shkatërrues kibernetik ndaj pikave të karburantit.