Në Departamentin e Shtetit kanë arritur shumë mesazhe dhe urime për presidentin e sapozgjedhur amerikan Xho Bajden, por administrata e presidentit në detyrë Donald Tramp e ka bllokuar aksesin në to, thonë zyrtarë të mirëinformuar në Ministrinë amerikane të Punëve të Jashtme, njofton CNN.
Tradicionalisht, Departamenti i Shtetit i mbështet të gjitha komunikimet e presidentit të sapozgjedhur, duke bërë që shumë vende të fillojnë të dërgojnë mesazhe në Departamentin e Shtetit gjatë fundjavës.
Por, duke pasur parasysh që administrata e Trampit ia ndalon Bajdenit qasjen në burimet shtetërore pasi që Donald Tramp refuzon të pranojë fitoren e tij, dhjetëra mesazhe të reja nuk janë dorëzuar ende tek pranuesi i duhur.
Ekipi i Bajdenit ka qenë në kontakt me qeveritë e huaja pa përfshirjen e Departamentit të Shtetit dhe ai tashmë ka pasur disa biseda telefonike me udhëheqësit botërorë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin kanadez Xhastin Trudo.
Megjithatë, ato veprojnë pa mbështetjen logjistike dhe përkthimore, të cilën e siguron qendra operacionale e Departamentit të Shtetit.
“Ata më shumë do të donin t’i përdorin burimet e Departamentit të Shtetit”, tha një burim i njohur me situatën, duke theksuar se ekipi i Bajdenit kishte hasur në një sfidë të papritur kur bëhej fjalë për të bërë thirrje telefonike.
Bajden gjithashtu nuk i merr brifingjet e shërbimeve të inteligjencës, që është praktikë e zakonshme në SHBA pasi zgjidhet presidenti i ri, për shkak të së cilës, sipas burimeve të sigurisë, vihet në rrezik siguria kombëtare, njofton CNN./MIA
