Çmimet e naftës mbeten të larta pavarësisht vazhdimit të armëpushimit nga Trump

TË FUNDIT

Çmimet e naftës mbetën në nivele të larta pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se armëpushimi me Iranin do të zgjatet, ndërsa tregjet treguan pak shenja për uljen e tensioneve.

Nafta e tipit “Brent” për dërgesat e muajit qershor mbrëmë u ngjit përkohësisht mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë pas rreth një jave, përpara se të zbresë në 99 dollarë, duke shënuar gjithsesi një rritje prej afro 4% gjatë ditës. Ndërkohë, nafta referencë amerikane “West Texas Intermediate” (WTI) pati një rritje më të moderuar.

Trump më herët deklaroi se SHBA do të përmbahet nga sulme të mëtejshme me kërkesë të Pakistanit, duke i dhënë kohë udhëheqjes iraniane të paraqesë një propozim të përbashkët dhe të përfundojë bisedimet. Pa këtë zgjatje, armëpushimi do të skadonte sot, ndërsa Trump kishte paralajmëruar sulme të forta ndaj sektorit energjetik dhe infrastrukturës civile të Iranit.

Megjithatë, perspektivat për përparim në negociata mbeten të kufizuara. Uashingtoni dhe Teherani ende nuk kanë arritur marrëveshje për një raund të dytë bisedimesh, pavarësisht përpjekjeve ndërmjetësuese të Pakistanit, të cilat Trump i përmendi në deklaratën e tij, raportoi DPA.

Po ashtu, SHBA do të vazhdojë bllokadën ndaj tregtisë detare iraniane, një veprim që Teherani e konsideron pengesë për rifillimin e diplomacisë.