Çmimet e larta të faturave energjetike! Qeveria dhe komunat do të ulen të bisedojnë

TË FUNDIT

Qeveria dhe komunat do të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur zgjidhje për problemet financiare që po kalojnë komunat me faturat e energjisë elektrike. Kryetarja e Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale, Danella Arsovska tha se pas 3 muajsh pa përgjigje, sot kanë marrë përgjigje për një takim me Qeverinë.

“Kërkuam që të mbahet edhe takim që në tavolinë të shpjegohen masat nga Bordi drejtues që numëron 22 anëtarë nga e gjithë Maqedonia dhe informacioni i fundit që kemi është se që nga sot deri më 23-tin të mërkurën Qeveria do të caktojë termin se kur mund të ulemi dhe të bisedohet për këtë problem”, theksoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Probleme ka edhe Komuna e Kisella Vodës, tha kryetari Orce Gjeorgjievski, por tha se nuk ka ndërmend të ankohet.

 “Kuptohet se kjo do të jetë  pengesë që një pjesë të projekteve dhe vizioneve tona do t’i prolongojë për një periudhë kohore, por unë nuk  do të dorëzohem. Atë për të cilën jam betuar para qytetarëve se do ta realizoj, i qëndroj pas dhe do t’i realizoj gjatë mandatit tim”, pohoi Orce Gjeorgjievski, kryetar i komunës së Kisella Vodës.

Situata e re e krijuar me rritjen e çmimeve të karburanteve ka shkaktuar probleme edhe në NP “Higjiena Komunale”. Drejtori i ndërmarrjes, Zudi Koka, tha se ndërmarrjen e gjeti në borxhe të mëdha dhe me probleme financiare dhe se situata e re do të ndikojë edhe më shumë në punën e ndërmarrjes.

“Presim ndihmë edhe nga Qeveria dhe duhet të na dëgjon sepse ne jemi në shërbim të qytetarëve. Unë mundem vetëm një të gjë tua tregoj, ne kemi nga 500 deri në 600 tonelata mbeturina në ditë dhe padyshim se kemi harxhime të mëdha, çmimet janë të larta tash. Ajo që është planifikuar në vitin 2021, çmimet e vitit 2022 nuk janë të njëjta, prandaj presim ndihmë edhe nga qyteti i Shkupit edhe pse kemi një përkrahje të madhe nga znj. Arsovska, por edhe nga Qeveria”, tha Zudi Koka, drejtor i NP “Higjena Komunale”.

Ndër komunat që më së shumti janë të prekura nga kriza e krijuar janë komunat e vogla, ku rrezikohet që edhe objektet e komunave të mbetën pa rrymë elektrike.