“Çmim i garantuar”, paralajmërohen ulje të çmimeve! Më shumë se 50 produkte ushqimore  do të shiten më lirë

TË FUNDIT

Të mërkurën do të ketë ulje të çmimeve të më shumë se 50 produkteve ushqimore, ndërsa të njëjtat do të dallohen nga shenja e vendosur e që shkruan “çmim i garantuar”.  Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi bëri të ditur se nesër qeveria do të merr vendim për produktet që do të pësojnë ulje të çmimit e që do të jenë produktet e furrave, produktet e qumështit dhe të mishit. Bazë për uljen e çmimit do të merret parasysh çmimi i 1 gushtit, minus 10 për qind ulje, ndërsa këto çmime nuk do të guxojnë të rriten deri më 30 nëntor.

 “Secili qytetar në shtetin tonë, kur do të shkojë në super market do të ketë mundësi që të ketë shenjë, ku do të tregohet çmimi i garantuar dhe shtesë prej kësaj do të dihet se me çmimet që do të jenë me shenjë dalluese, nuk do të mund të ketë rritje përpjetë deri me 30 nëntor”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Ministri Bekteshi tha se lista e produkteve që do të lirohen  është bërë në bazë të analizave që ka kryer Enti shtetëror për statistika për atë se në çka harxhojnë më shumë qytetarët. Ne këtë listë nuk janë pijet alkoolike dhe jo alkoolike  dhe produktet higjienike, por ministri Bekteshi pret që edhe produkte tjera të shtohen në listë.

 “U bëj thirrje prodhuesve dhe distributorëve që nuk janë në listë për uljen e çmimeve, të paraqiten në ministrisë e Ekonomisë që të mund ta përdorin shenjën “çmim i garantuar” dhe me këtë do t’i dallojnë edhe qytetarët. Këtë e bëjmë me qëllim që të zgjerohet lista me produktet. Nesër do të kem bisedime me prodhuesit dhe shpërndarësit e pijeve alkoolike dhe joalkoolike dhe jam në pritje të reagimeve pozitive nga ana e tyre që  me vendimin e ardhshëm, përveç produkteve higjienike të jenë edhe pijet”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Bekteshi paralajmëroi se nga e mërkura do të fillojnë kontrollet e përforcuara nga ana e Inspektoratit të tregut dhe do të jenë të përfshirë edhe anëtarë të qeverisë për pjesën e mbikëqyrjes se si po zbatohen kontrollet me qëllim të vetëm që të dalim në ndihmë qytetarëve.