Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet lokale është rezultat i zhgënjimit të qytetarëve me sistemin politik dhe elitën politike. Në LSDM dhe BDI mund të pritet presion më i madh për ndryshime të kuadrove dhe politike. Në VMRO-DPMNE pritet të konfirmohet vazhdimësia e udhëheqjes dhe e politikave aktuale. Ndërsa VLEN ka një mundësi reale të konsolidohet dhe të kthehet në një brend serioz politik. Këto ishin qëndrimet kryesore të analistëve në emisionin debatues “Click Plus” në TV21, lidhur me rezultatet e zgjedhjeve lokale.
“Si zhgënjehet qytetari? Zhgënjehet nga fakti se në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ekziston asnjë animizëm – as politik e as etnik – mes qytetarëve. Animizmin në këtë vend e prodhon elita politike, kushdo që të jetë në pushtet”, tha Qenan Aliu, analist politik.
Qytetarët shpesh votojnë nën ndikimin e popullaritetit të partive në pushtet. Kandidatët e tillë, sipas Spasenoskit, kanë përgjegjësi të dyfishtë, sepse qytetarët u japin mbështetje bazuar në besimin që kanë te partia.
“Në momentin që zgjidheni në një funksion të ri, në atë çast përfundon ‘muaji i mjaltit’ me qytetarët. Kulmi i atij muaji mjalti është dita e shpalljes së fitores suaj. Të nesërmen, në mëngjes, përballeni me një lloj tjetër qytetari – ai që nuk ju duartroket më, por ju analizon. Ai nuk admiron më madhështinë e fitores suaj, por kërkon rezultate”, pohoi Aleksandar Spasenoski, analist Politik.
Për Andrej Petrovin, është e gabuar që zgjedhjet lokale të shndërrohen në një “referendum” për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Mendoj se është një tezë e gabuar që zgjedhjet lokale duhet të jenë një lloj referendumi dhe, për shkak të atij referendumi, të kërkohen më pas zgjedhje të parakohshme parlamentare që qytetarët të shprehen për një çështje krejt tjetër. Zgjedhjet lokale janë një segment i rëndësishëm i demokracisë. Ato janë një mundësi që qytetari të zgjedhë njeriun me të cilin ka më lehtë kontakt sesa me një ministër”, tha Andrej Petrov, Analist Politik.
Sipas Petrovit, LSDM “ka dalë keq” në zgjedhje. “Çdo përpjekje për të thënë se ky është rezultat i mirë është e gabuar – është rezultat i keq,” deklaroi ai.
