Aktorët e Teatrit kombëtarë të Gostivarit Argjend Hasani dhe Berat Saliu, të cilët me polici u nxorën nga Teatri i Gostivarit, mbrëmë në emisionin Click Plus u përballen me regjisorin Sulejman Rushiti.
Aktorët kërkuan të dinë përse u përjashtuan nga shfaqja “Nathani i urtë”, dhe pse u janë prishur kontratat pa pëlqimin e tyre.
“Më largojnë nga shfaqja dhe ma kanë prish kontratën me pa të drejtë, ku në kontratë shkruan kjo marrëveshje mund të prishet me pëlqimin e të dyja palëve. Letra më ka ardhur në shtëpi, ku ma ka prish drejtori kontratën vetëm me nënshkrimin e tij dhe sot Visar Vishka i cili nuk është këtu prezent, sepse nuk ka asnjë argument, po e gënjen gjithë qytetin e Gostivarit”, tha aktori, Argjend Hasani.
Edhe aktori Berat Saliu thotë se nuk e dinë arsyen se pse janë përjashtuar nga shfaqja.
“Pse na kanë larguar thjeshtë këtë duam të dimë dhe e mbyllim krejt këtë . Pse na keni larguar këtë duam përgjigje pse na keni larguar”, deklaroi ish drejtori i TGV, tani aktor, Berat Saliu.
Ndërkaq regjisori Sulejman Rushiti thotë se Argjendi vetë e ka lënë shfaqjen dhe se nuk e ka respektuar atë si regjisor
“Përveç rolit Tosun që e la aktori e la edhe Argjend Hasani dhe unë kur shkova si regjisor të kërkoj nga ish drejtori të drejtën që gjithkund në botë I takon një regjisori që aktorët të cilët nuk e pëlqejnë regjisorin që i thonë regjisorit ti je i dobët nuk di të bësh shfaqje, që bërtasin që bëjnë skena të pahijshme dhe e ka lënë rolin të njëjtën ditë më emrin Tosun”, pohoi regjisori, Sulejman Rushiti.
Drejtori i Tetarit Kombëtar të Gostivarit Visar Vishka edhe pse ishte i ftuar në emision për të debatuar në lidhje me këtë çështje nuk morri pjesë. Mirëpo ai u kyç përmes telefonit dhe tha se me aktorët e lartpërmendur do të shihet në gjyq.
“Unë me ata do të shihem në gjyq, nuk kam çfarë të bisedoj me ata do të shihem në gjyq për gjithë dëmin që janë kanë bërë teatrit si institucionit si kolegëve me ministër me gjithë do të jenë dëshmitarë në gjyq. Dhe do t’i paguajnë të gjitha harxhimet që i ka bërë teatri dhe harxhimet që ne i kemi bërë prej gjepit tonë që kemi shkuar në prova”, veçoi drejtori aktual i Teatrit të Gostivarit, Visar Vishka.
E paqartë mbetet situata se, kur do të shfaqet premiera historike “Nathani i urtë”, e cila ka hasur në pengesa e mosmarrëveshje tash e disa muaj. Ndryshe institucioni Nacional “Teatri i Gostivarit” u themelua më 31 tetor të 2018-s.
