Clark: UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik

TË FUNDIT

Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë tha se “Nuk ka prova që UÇK-j të ketë kryer spastrim etnik.”

Ai këtë e tha pasi u pyet lidhur me një artikull të vitit 1999 në gazetën Shekulli ku pretendohej se dikush kishte thënë se në Kosovë janë dëbuar rreth 170 mijë serbë.

“Unë nuk kam prova dhe dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”, u shpreh Clark.

Clark thotë se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë organ apo entitet qeveritar i ndonjë vendi anëtar të NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.

I pyetur nga prokurori Halling nëse nuk mund ta konfirmojë për shkak të konfidencialitetit, Clark tha shkurtimisht: “Thjesht nuk e di”.

Prokurori më pas e lexoi një raport informimi të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Robin Cook, lidhur me operacionet e NATO-s, në të cilin ai thotë se “ne kemi marrë disa raporte nga UÇK-ja në dy javët e fundit dhe na ndihmon ta kemi perspektiven e asaj çka po ndodh, por nuk synojmë t’i furnizojmë ata me armë”.

Lidhur me këtë Clark tha se “jam i sigurt ka pasur deklarata nga dikush që ka thënë se UÇK-ja ka trokitur në derë për të kërkuar ndihmë, kjo është tërësisht ndryshe nga të pasurit një sistem të komandës dhe kontrollit, të unifikuar, i cili do të mbështeste NATO-n”.

Clark përsëriti se UÇK-ja nuk kishte komandë kontrolli.