Kur Angela Merkel njoftoi javën e shkuar se Gjermania do të pranojë këtë vit rreth 800 mijë azilkërkues këtë vit, shumë iu drejtuan vendeve të tjera të bllokut evropian që të ndiqnin shembullin “e mirë” gjerman. Që nga mbërritja në kufijtë e Europës e dhjetëra mijëra emigrantëve nga Siria, Afrika dhe Lindja e Mesme, narrativa politike në Gjermani ka qenë shumë ndryshe nga ajo që është dëgjuar në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Kancelarja gjermane ka mbajtur fjalime rreth “idealit të përbashkët evropian” dhe se kontinenti si një i tërë duhet të angazhohet me këtë problem. “Nëse Evropa dështon në çështjen e refugjatëve, lidhja e saj e ngushtë me të drejtat e njeriut do të shkatërrohet”, tha Merkel. “Si një vend financiarisht i shëndoshë dhe i fortë, ne kemi fuqinë të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme”, tha ajo. Dhe në vend si politikanët e qendrës së majtë dhe ata të qendrës së djathtë në përgjithësi kanë mbështetur qëndrimin e saj. Për shumë nga këta politikanë, pranimi i refugjatëve është një çështje solidariteti ndaj atyre që i ikin luftës dhe persekutimit. Por, për të tjerë ekzistojnë arsye të qarta pragmatike.
Në të vërtetë, Gjermania ka një nga popullsi që po plaket dhe zvogëlohet me shpejtësi. Sipas parashikimeve nga Komisioni Europian në raportin e tij mbi plakjen, botuar vitin e kaluar, është vlerësuar se në vitin 2060 numri i përgjithshëm i popullsisë gjermane do të reduktohet me 10 milionë: nga 81.3 milionë në vitin 2013 në 70,8 milionë. Kjo është arsyeja pse vendi mund të përfitojë nga fluksi i punëtorëve të rinj. Përkundrazi, besohet se Britania do të bëhet vendi më i populluar i BE-së. Sipas raportit të KE, popullsia në Mbretërinë e Bashkuar do të rritet nga 64.1 milion në 80.1 milion në vitin 2060.
Kjo si rezultat i normave relativisht të larta të fertilitetit dhe normave të larta të emigracionit neto. Ky ndryshim ndihmon në shpjegimin e dallimit të qëndrimeve të dy vendeve për çështjen e emigracionit. Në rastin e Gjermanisë, proporcioni në rritje i qytetarëve që mbahen nga shteti është një barrë e madhe për taksapaguesit. Është vlerësuar se përqindja e njerëzve mbi 65 vjeç në krahasim me njerëzit e moshës 15- 64 vjeç do të rritet nga 32% në vitin 2013 në 59% në 2060. Kjo do të thotë se nga viti 2060, dy gjermanë në moshë pune do të punojnë dhe paguajnë taksa për çdo pensionist.
Dhe kështu, për redaktorin ekonomik të BBC Robert Peston “mund të thuhet se është veçanërisht e dobishme për Gjermaninë që të ketë një fluks familjesh të reja dhe sidomos mirënjohëse nga Siria, apo nga ndonjë vend tjetër, që janë të gatshme të punojnë fort dhe të përpiqen për të rindërtuar jetën e tyre dhe t’u tregojnë mikpritësve se nuk janë një barrë”. Natyrisht që e gjithë kjo nuk është tërësisht pozitive për Gjermaninë. Fluksi masiv i emigrantëve si ai që po shihet tani krijon sfida të mëdha për shoqërinë.
Qeveritë dhe autoritetet lokale janë shkatërruar dhe jo të gjithë janë të përgatitur për të akomoduar dhjetëra mijëra njerëz. Sistemet e mirëqenies dhe buxhetet rajonale do të përballen me shpenzime të mëdha shtesë. Por, siç vuri në dukje në edicionin e saj ndërkombëtar revista “Der Spiegel”, fluksi i paprecedentë i emigrantëve që po përjeton Gjermania “do të ndryshojë rrënjësisht vendin”.
“Emigrantët paraqesin një barrë, por janë edhe një mundësi për të krijuar një Gjermani të re, më kozmopolite dhe bujare”, shkruan Der Spiegel. Vala e emigracionit mirëpritet edhe nga punëdhënësit. “Edhe pse shkalla zyrtare e papunësisë është gati 2,8 milionë, vijon revista, komuniteti i biznesit ka nevojë urgjente për punëtorë”. “Ekonomia gjermane varet nga emigracioni, si nga Evropa ashtu dhe nga personat që hyjnë në vend për shkak të të drejtave të azilit në Gjermani”.
“Me një popullsi gjermane që reduktohet kompanitë nuk mund të plotësojnë shumë vende pune dhe punëtorët e kualifikuar janë gjithnjë e më të rrallë. Ky trend do të përkeqësohet në vitet e ardhshme. Është një fakt që kërcënon prosperitetin e ardhshëm të vendit”, thotë revista,shkruan Dita.
Edhe ekspertët bien dakord se Gjermania nuk mund të përmbushë nevojat e forcës punëtore vetëm me tregun e punës evropian, që lejon lëvizjen e lirë të punëtorëve brenda BE-së. Sigurisht debati i emigracionit gjithmonë do të ketë mbështetësit dhe kundërshtarët e tij dhe Gjermania nuk përjashtohet nga sulmet e të djathtës ekstreme. Por pjesa dërrmues e ekonomistëve janë dakord se emigracionit nxit rritjen, dhe Gjermania po përjeton një moment, kur vala e tanishme e emigrantëve mund të jetë e dobishme ekonomikisht dhe demografikisht.
