Nëse deri në afatin e fundit pushteti nuk arrin të merret vesh me opozitën për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese, ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se do të vazhdojnë rrugën për të kërkuar zgjidhje tjera alternative për të siguruar 80 deputet. Shtoi se nuk do të lejojnë që vendi të jetë peng i askujt e as i kapriçove dhe naiviteti politik.
“Nëse ai deri në fund interesin partiak e vendos mbi fatin e njerëzve, atëherë ne do të gjejmë edhe zgjidhje alternative.
TV21: Që është? Çka është zgjidhja alternative? Se po thoni atëherë ne do të gjejmë…
-Unë mendoj se ashtu siç u ka plasë atë ditë në parti me deklaratën e tij se pranon ndryshimet kushtetuese, ashtu si kalojnë ditët do u plasë më tepër për njerëzit të cilët thonë, ngadalë se ti njëherë nuk ke qëndrim saktë për ndryshimet kushtetuese, dje po, sot jo”-tha Bujar Osmani, Ministër I Jashtëm.
Pyetëm në VMRO-DPMNE nëse të gjithë deputetët e kësaj partie dhe VMRO-DPMNE janë të bashkuar sa i përket mbështetjes ose jo të ndryshimeve kushtetuese. Deputetja Dafina Stojanoska u shpreh se pushteti kot po harxhon kohën sepse VMRO-DPMNE është e bashkuar rreth qëndrimit se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë.
“Absolutisht të gjithë bashkë. Mendoj se kot e harxhojnë kohën nëse nuk kanë për qëllim që të pranojnë ndonjërin prej dy propozimeve. Në të kundërtën nuk ka ndryshime kushtetuese dhe për këtë edhe vetë Kovaçevski e shpalli takimin e liderëve të pa suksesshëm sikur edhe kryetari Mickoski sepse nëse nuk kanë 80 deputetë e që nuk i kanë, do të thotë jo sukses dhe dalja më e mirë dhe zgjidhja më e shpejtë do të ishin zgjedhjet e parakohshme”- deklaroi Dafina Stojanoska, VMRO-DPMNE.
Për Osmanin, kërkesa e VMRO-DPMNE-së që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të vendit në BE nuk ka peshë politike. Kjo sepse siç shpjegon, ndryshimi do të bëhet vetëm në preambulë dhe jo në pjesën normative të kushtetutës ku eventualisht në të ardhmen mund të dilte ndonjë ligj.
