Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje përbën “zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar”.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 7 qershorit ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.
Çitaku ka thënë se ky nivel i pjesëmarrjes është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, veçanërisht nga pushteti, duke shtuar se ai “i ka lodhur qytetarët”.
Çitaku ka pohuar se PDK-ja ka konfirmuar pozicionin e saj përfaqësues dhe se partia do të presë rezultatin përfundimtar para se të bëjë publike qëndrimet e saj.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe demokratike, por, sipas saj, nuk kanë qenë të barabarta, duke pretenduar për keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.
