“Çimentorja USJE po “helmon” Shkupin”/ Arsovska paralajmëron kallëzim penal

TË FUNDIT

Fabrika së çimentos TITAN-USJE po “helmon” Shkupin me ndotjen që po i bënë ajrit. Kështu thotë kryetarja e Shkupit Danella Arsovska e cila për këtë kompani paralajmëroi kallëzim penal.
Ajo tha se në dhjetorin e kaluar dhe në fillim të janarit janë matur sasi trefish më të larta nga e lejuara të grimcave PM10, ndërkohë nga kaldaja për ngrohjen e fabrikës së çimentos është konstatuar se janë tejkaluar dyfish vlerat e kufirit të oksideve të azotit.

“Konkretisht në dhjetor të vitit të kaluar janë matur 3 herë më shumë sasi e vlerës së grimcave PM10 që lëshohen në atmosferë, e rezultate të ngjashme kemi vërejtur edhe gjatë matjes që janë kryer në fillim të këtij viti. Bëhet fjalë për emetim te sasive tre fish mbi të lejuarën për metër kub në orë (m3/h). Këtu janë ato matje të cilat po i prezantoj sot.”- Danella Arsovska – kryetare e Qytetit të Shkupit.

Arsovska paralajmëron kontrolle të përforcuara dhe sanksione ndaj ndotësve. Për të ulur ndotjen në qytet, ajo thotë se në vazhdimësi pastrohen deponitë ilegale, shtohen subvencionet për transport alternativ dhe po rregullon transportin publik, ku automjetet që nuk kanë standarde minimale EURO 4 nuk do të kenë më mundësi të qarkullojnë. Arsovska kërkon futjen dhe përditësimin e rregullt të regjistrit të ndotësve.

“Qyteti i Shkupit vitin e kaluar ka shqiptuar gjoba nga 12 deri në 88 mijë euro për personat juridikë dhe gjoba përkatëse ndaj personave fizikë për të cilët është konstatuar se në mënyrë të kundërligjshme hedhin mbeturina dhe e shkelin ligjin.”- pohoi Danella Arsovska – kryetare e Qytetit të Shkupit.

Ky është raporti për javën e kaluar nga çimentorja TITAN-USJE. Nga fabrika mohojnë akuzat e lartpërmendura.
“Kontrolli i jashtëzakonshëm nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, i zhvilluar më 3 dhe 4 janar 2023, në prani të inspektorëve nga Qyteti i Shkupit, konfirmoi se emetimet nga procesi i prodhimit në Çimentoren Usje janë më të ulëta se vlerat e kufirit të lejuara. Procesi i prodhimit në Çimentoren Usje zhvillohet në korniza të përcaktuara ligjërisht dhe sipas standardeve mjedisore. Në konferencën për media u prezantuan të dhënat për matjet e 26 dhe 27 dhjetor 2022. Në këto ditë matje të tilla nuk janë bërë fare përreth fabrikës, prandaj rezultatet e tyre nuk mund të lidhen me USJE-n.”- deklaroi Fabrika e çimentos Titan-USJE .

Pasi foli për ndotjen dhe shkurt për transportuesit privat, Arsovska e lëshoi press konferencën duke lënë pa përgjigje gazetarët që ishin prezent.
Përndryshe tre vjet më parë qytetarët protestuan duke bllokuan hyrjen e çimentores dhe kërkuan që me ligj të ndalohet importi i mbeturinave për djegie. Drejtori gjeneral i çimentores Usje, Boris Kisafov deklaroi se Usje punon sipas të gjitha standardeve evropiane, se posedojnë lejen A-integrale.