Cili do të jetë fati i Ansamblit të Tetovës? Drejtori thotë se Ministria nuk bën punësime, pushteti siguron se do të bëhen 20

TË FUNDIT

Ministria e Kulturës mendon se disa institucione, si Ansambli Muzikor i Tetovës, janë të tepërta dhe duhet të rishikohen ose fuzionohen, tregoi në emisionin Pastel në TV21, drejtori i ansamblit Blerim Qamili. Për këtë arsye, sipas tij, edhe pse kanë kërkuar punësime, ato nuk janë miratuar.

“Ne atë kemi kërkuar punësime, kemi kërkuar 20 artistë, nga ato 24 punësime, 20 janë artist, korr dhe të tjerët janë… 1 administrator, pra ne kemi kërkuar vetëm 1 administrator për arsye se ne e shohim vullnetin e kolegëve tanë dhe mendojmë se me 1 administrator dhe 1 ekonomist dhe 1 jurist, në bashkëpunim të bukur me kolegët tanë në të ardhmen nuk kemi nevojë ta ngarkojmë buxhetin me administratorë”, tha Blerim Qamili, drejtor i Ansamblit Muzikor – Tetovë.

Për këtë çështje reagoi koalicionin në pushtet VLEN. Thonë se derisa të tjerët përhapin panik dhe dezinformata, VLEN po punon me fakte dhe me hapa konkretë për kulturën shqiptare. Sigurojnë se Ansambli Muzikor i Tetovës nuk do të mbyllet, përkundrazi – do të forcohet me punësimin e 20 artistëve.

“Ansambli Muzikor i Tetovës jo vetëm që nuk rrezikohet, por përkundrazi, po forcohet. Aktualisht po punohet intensivisht në kompletimin e dokumentacionit për funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, përfshirë edhe punësimin e rreth 20 artistëve në fazën e parë”, thonë nga VLEN.

Ministria e Kulturës për më 11 maj ka paralajmëruar mbajtjen e debatit publik për Draft Strategjinë për Zhvillimin e Kulturës 2026–2030. Udhëheqësit e Ansamblit Muzikor po shpresojnë se do të merren parasysh vërejtjet që i kanë dërguar. 

Përndryshe, në Ansamblin Muzikor në Tetovë aktualisht janë vetëm dy të punësuar dhe drejtori. Ky institucion u themelua me vendim qeverie në mars 2018, ndërsa punësimet e para janë realizuar në vitin 2019.