Bitcoin, me vlerë aktuale mbi 121,000 dollarë, duket se është i mbrojtur nga një treg ‘bear’ (rënës) në muajt e ardhshëm, pasi pritet që kushtet monetare mbështetëse të vazhdojnë. Kjo, sipas Arthur Hayes, drejtor i investimeve dhe bashkëthemelues i kompanisë Maelstrom, e bën praktikisht të pavlefshëm ciklin tradicional katërvjeçar të ‘halving’-ut (gjysmimi i Bitcoin).
Në një ese të titulluar “Rroftë Mbreti!”, botuar të enjten, Hayes argumentoi se shkaku kryesor i tregjeve bear të mëparshme të Bitcoin-it në vitet 2014, 2018 dhe 2022 ishte shtrëngimi monetar në ekonomitë kryesore, dhe jo cikli katërvjeçar i halving-ut. Në secilën prej këtyre periudhave, çmimi i Bitcoin ra me 70–80% nga kulmi i tregut ‘bull’ (rritës), shkruan CoinDesk.
CoinDesk kishte shprehur një pikëpamje të ngjashme në vitin 2023, duke theksuar se cikli katërvjeçar i Bitcoin-it, i lidhur me përgjysmimin e shpërblimeve për minierat, ndikohet më shumë nga luhatjet e ofertës monetare të valutës fiat dhe likuiditetit, sesa nga vetë ngjarjet e “halving”-ut.
“Ndërsa afrohet përvjetori katërvjeçar i këtij cikli, tregtarët duan të ndjekin modelin historik dhe të parashikojnë fundin e tregut bull,” shkroi Hayes, duke nënvizuar se cikli katërvjeçar ka përfunduar dhe se prurja e madhe e likuiditetit fiat që pritet do të mbajë tregun në rritje.