Cigaret me avull, shqetësim për shëndetin e të rinjve, prindërit kërkojnë kontrolle me të rrepta nëpër shkolla

TË FUNDIT

Përdorimi i cigareve elektronike apo të njohura si “vaping” është epidemia e re e përhapur te të rinjtë. TV21 ishte në disa shkolla për të vërtetuar shqetësimin që prindërit kanë ngritur për “vape” te nxënësit e shkollave fillore.

TV21: A keni parë duke pirë vape nëpër shkollë?
Nxënësi: “Po unë kam parë”.
TV21: Cilat klasa më shumë?
Nxënësi: “Më shumë të nëntat, edhe disa nga klasa e gjashtë”.
TV21: Ku po i marrin, a ka nëpër dyqane?
Nxënësi: “Po ka”.

TV21: A e keni parë dikë ose ju a pini shisha ose vape?
Nxënësi: “Jo, jo”.
TV21: A keni parë dikë duke pirë?
Nxënësi: “Po shumë… jo shumë por ka… klasat e nënta, ma t’mëdhenjt”.

¬Çmimi i një vape në një dyqan që kontrolluam varion nga 400 deri në 1300 denarë. Nxënësit shkojnë dhe kërkojnë për të blerë, gjoja se për prindërit.

TV21: A ka interesim prej fëmijëve për të blerë vapes, a vijnë të pyesin?
Shitësi: “Po ka, po pyesin por ne nuk u japim nën moshën 18 vjeçe, edhe është e ndaluar me ligj”.
TV21: Çfarë thonë?
Shitësi: “Thonë se m’ka dërgu prindi ose vëllau”.

Kryetarja e këshillit të prindërve në një shkollë fillore, Edmira Zhagu Hani, thotë se ka kontrolle nëpër shkolla por si prind, kërkojnë që të ketë kontrolle të shtuara tek nxënësit, sepse prindërit nuk mund t’ia dalin të vetëm.

“Disa herë me radhë ka pasur kontrolle të shpeshta të nxënësve, të cilët paraprakisht nuk kanë qenë të paralajmëruara, që është një moment që duhet të ceket që pikërisht edhe ne si prind mendojmë se duhet më shpesh të ketë kontrolle të atilla, me qëllim që të shmanget kjo dukuri. Po ashtu ceket të përmendet edhe kujdesi i kujdestarëve të klasës të cilët gjatë orës së kujdestarisë, disa javë me radhë e kanë trajtuar si çështje bisede ndërmjet nxënësve dhe kujdestarit të klasës”, u shpreh Edmira Zhagu-Hani – kryetare e Këshillit të Prindërve.

Ndërkaq ekspertët shëndetësor alarmojnë për dëmet që shkakton vaping.

“Fëmijët e kanë marrë si shprehi, nga mendjemadhësia dhe nuk e di se nga çfarë?! Por sido që të jetë nga thithja e “shishas” dhe cigareve elektronike është normal që do të ketë pasoja nga ajo që do të thithet. Avulli i cili del nga thithja e cigareve elektronike ose nga shisha ndikon negativisht në muskulaturën e organeve të frymëmarrjes dhe në një farë mënyre jo siç e dëmton cigarja por në një farë mënyre sjell edhe dëmtim të muskulaturës së rrugëve të frymëmarrjes”, tha Zekirija Shaini – pulmolog.

Sipas një studimi të vitit 2020 të botuar në revistën “Toxics”, fishekët vape përmbajnë më shumë se 500 kimikate, shumica e tyre kancerogjene.