Pas vdekjes së nënës së tij, mbretëreshës Elizabeta e Dytë, djali i saj më i vjetër, i cili është 73-vjeçar, Charles e ka trashëguar fronin, si dhe pasurinë e saj private, trashëgimi kolosale që do ta marrë pas pagesës së tatimit, që është privilegj i rezervuar për trashëgimtarët e mbretit.
Edhe pse asgjë nuk i obligon monarkët britanikë t’i zbulojnë financat e tyre private, e njohur është se Elizabeta ka poseduar pasuri personale prej 370 milionë funta në vitin 2022, shkruan Sandej Tajms, respektivisht pesë milionë më shumë se vitin e kaluar.
Pallati i Bekingamit, rezidenca mbretërore në Londër dhe kështjella Uindzor, 30-të kilometra në perëndim nga Londra, janë pronë shtetërore.
Megjithatë, kështjella Balmoral, pushimore e familjes mbretërore dhe rezidenca Sandringem, ku familja mbretërore tradicionalisht e feston fundin e vitit, kanë qenë në pronë të mbretëreshës dhe i trashëgon Charls.
Mbretëresha ka poseduar edhe një koleksion të pullave postale, me vlerë 100 milionë funta, sipas shkrimit në Tajms në vitin 2021.
Pasuria e mbretëreshës i shtohet pasurisë personale të Charlsit, e vlerësuar në 100 milionë dollarë (87 milionë funta).
Kurora, e cila së bashku me stolitë e njohura, është vlerësuar në rreth tre miliardë funta, simbolikisht i takon mbretëreshës dhe automatikisht e trashëgon trashëgimtari i saj.
Princi Filip, bashkëshorti i Elizabetës, ka lënë një pasuri modeste prej 30 milionë funta, kur ka vdekur në prill të viti 2021.
