Lideri i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski bëri thirrje për bashkim dhe kthimin e besimit në parti. Siç duket kjo parti nuk mendon për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se, siç theksoi lideri i ri, e kanë përgjegjësinë për gjithçka që do të ndodhë gjatë viteve në vijim. Kovaçevski rikujtoi se amaneti i ish liderit Zoran Zaev është që të vazhdohet rruga demokratike dhe kujdesi për të gjithë, dhe nga kjo rrugë tha se nuk do të tërhiqen. Së bashku, në mënyrë të përgjegjshme dhe përkushtuar, është motoja e liderit të ri të LSDM-së i cili, siç tha, dje kanë mbaruar premtimet, nga sot fillojnë me realizim.
“Është ditë e madhe për demokracinë, na pret punë për qytetarët, në mënyrë të përkushtuar dhe të përgjegjshme. Sonte mund të festojmë, por nga nesër t’i shpërvjelim mëngët dhe të fillojmë me punë. Kemi përgjegjësi për gjithçka që do të ndodhë me partinë gjatë viteve në vijim. Kur është LSDM-ja e fortë me agjendë të qartë, shteti lëviz përpara. Andaj na duhet LSDM e fortë dhe e bashkuar me qëllime të qarta dhe energji për realizimin e tyre”, tha Dimitar Kovaçevski, lider i LSDM-së.
Në zgjedhjet lokale populli tregoi se ka besim te VMRO-DPMNE-ja dhe shpresë se diçka do të ndryshohet, nuk guxojmë t’i zhgënjejmë, nuk guxojmë të dështojmë, tha Hristijan Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE-së në Kongresin e djeshëm të partisë, me fokus në reformat që i kanë bërë katër vitet e kaluara në parti. Sfida kryesore në periudhën e ardhshme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“E di që ekzistojnë prindër që kur i vendojnë fëmijët në gjumi bisedojnë se si të kalojnë muajin, si të paguajnë këstin e kredisë, si të sigurojnë para për ushqim dhe veshmbathje për anëtarët më të vegjël të familjes. E di që ekzistojnë profesorë të cilëve nuk u del hesapi për të blerë banesë të re. E di që pensionistët nuk mund tu blejnë nipave atë që u nevojitet. E di që mjekët mendojnë për të blerë biletë aeroplani në një drejtim“, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Analisti Albert Musliu, thotë se të dy liderët kanë pasur fjalime të përmbajtura, interesante dhe të koncentruar. Partitë bëhen më të pjekura edhe përmes reformimit brenda-partiak. E pyetëm se – Çfarë risie ofruan liderët e rinj?
“Në fjalimet e dy liderëve pamë thirrje për ndonjë unitet, që besoj se tregon se që të dy janë të vetëdijshëm se duhet të ketë pak edhe pajtim në shoqëri dhe të ulen tensionet konstante që i kishim si shoqëri për shkak të atij narrativi politik, sepse po mbaron edhe durimi i qytetarëve”, tha Albert Musliu, analist.
Atë që e kanë të përbashkët është se edhe VMRO-DPMNE edhe LSDM thirrin në unitet dhe bashkim. Nga ana tjetër populli nga zgjedhjet në zgjedhje vazhdimisht e më shumë po tregon se po e humb besimin në politikanët sipas interesit për votim. Musliu thotë se politika është për politikanët dhe nëse ata do ta kryenin mirë punën e tyre, qytetarët ashtu sikur në Belgjikë fare nuk do të merreshin me politikë.
