Ndërrimi i shpeshtë i ministrave në ministri të caktuara ndikon në dinamikën e realizimit të nevojave kyçe të shtetit, tha zv.kryeministrja Sllavica Gërkovska në pyetjen se pse ende nuk janë sjellë ligjet për administratën publike me të cilat parashihet të reformohet e njëjta. Megjithatë Gërkovska ende nuk e di se kur këto ligje do të propozohen.
“Mendoj se me aq sa unë e di, po bëhen bisedimet e fundit rreth disa çështjeve të rëndësishme që kanë dalë nga debati publik dhe reagimet jo vetëm të faktorëve politik, por edhe të faktorëve tjerë nga sektori publik dhe pres që së shpejti të propozohen.”- deklaroi Sllavica Gërkovska, ZVKM për qeverisje të mirë.
Por, në fillim të tetorit të këtij viti ministri Azir Aliu në brifing me gazetarët pat thënë se këto ligje janë në procedurë qeveritare, ndërsa do të miratohen në procedurë të shkurtuar dhe me flamur europian.
“Së shpejti do të votohen ligjet për reformat në administratën publike që priten prej vitesh. Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligji për Nëpunësit Administrativë, të cilët së shpejti do të kalojnë në Qeveri, kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe efikasitetin e administratës publike në vendin tonë. Ato do të përfshijnë masa për trajnimin e të punësuarve në administratën publike, rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe modernizimin e proceseve administrative.”- tha Azir Aliu, Ministër I Shoqërisë Informatike Dhe Administratës.
Tani që kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga kjo deklaratë, ende nuk ka përgjigje se kur këto ligje do të propozohen në Qeveri.
Kujtojmë se ndryshimet në ligjet për administratën publike janë parashikuar që nga viti 2019, ndërsa siç janë ndërruar ministrat në ministrinë përkatëse, janë ndërruar edhe afatet për sjelljen e këtyre ligjeve.
Përndryshe, në raportin e fundit të BE-së për vendin tonë tek administrata publike u identifikuan dobësi të mëdha në sistem, ndërsa ritheksohet nevoja për reforma urgjente.
