Teksa Rusia intensifikon luftën e saj në Ukrainë – duke vrarë civilë dhe duke nxitur krizë të madhe të refugjatëve – presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur të martën, 8 mars, një ndalesë në importet e naftës ruse.
Kritikët e Rusisë kanë thënë se sanksionimi i eksporteve të energjisë do të mund të jetë mënyra më e mirë – ose e vetme – që Moska të tërheqë trupat.
Një embargo e plotë do të ishte më efektive nëse do të përfshinte edhe aleatët evropianë, të cilët po ashtu dëshirojnë që të ndalet dhuna në Ukrainë dhe janë të shqetësuar për rrezikun që përbën Moska në kontinentin evropian.
Megjithatë, ende është e paqartë nëse Evropa do të marrë pjesë në embargo, ndonëse Britania e Madhe ka bërë të ditur të martën se do të heqë dorë gradualisht nga nafta ruse deri në fund të vitit 2022.
Për dallim nga Shtetet e Bashkuara, sektori i energjisë në Evropë është tejet i varur nga importet e Rusisë, e cila njihet si shteti i dytë më i madh në botë që eksporton naftë të papërpunuar, pas Arabisë Saudite./AP
