Në mbrëmjen e mërkurës në ora 21:02 minuta zjarrfikësit e Tetovës morën njoftimin se flakët kanë kapluar spitalin modular në Tetovë.
Qytetarët që rastësisht u gjendën aty afër nuk kishin se si t’i ndihmonin pacientët që ishin brenda, meqenëse flakët ishin përhapur shpejt në gjithë spitalin modular.
Pas disa minutave arritën zjarrfikësit, të cilët për disa minuta arritën ta shuanin zjarrin.
Në ora 21:30 ministri i shëndetësisë dhe e kryeministri nisen për Tetovë.
Pak më vonë, pasi u shua zjarri, filluan të nxjerrën disa prej trupave të viktimave, por askush nuk e dinte se sa ishte numri i viktimave dhe sa janë shpëtuar nga kjo tragjedi.
Kryeministri bashkë me funksionarë tjerë shkuan drejt objektit të komunës së Tetovës, ku u mbajt mbledhje emergjente.
Pas më shumë se një orë, ata dolën nga mbledhja por shin marrë vesh që askush të mos jep deklaratë, vetëm thanë se janë mbi 10 viktima.
Mjeku në spitalin e Tetovës Nexhmedin Abazi tha se 9 pacientë u shpëtuan nga flakët dhe se gjatë pranimit gjendja e tyre ka qenë e rëndë.
“Në fillim gjendja e tyre ishte shumë e rëndë por me intervenimin me intervenimin e ekipeve mjekësore gjendja e tyre është stabile për momentin”, tha mjeku Nexhmedin Abazi.
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi tha se ekipet e hetimit do të zbardhin rastin dhe do të kuptohen shkaqet e zjarrit.
“Për çdo ngjarje përgjegjësia është obligim i të gjithëve prandaj edhe nga përgjegjësia nuk duhet të ikim asnjëherë është shumë me rëndësi atë që thash që organet të cilët e kanë detyrë të zbardhin rastin normalisht sipas atyre të dhënave përgjegjësi patjetër të ketë”, u shpreh Teuta Arifi – kryetare e Komunës së Tetovës.
Ky spital modular kishte kapacitet mbi 30 persona për tu kujdesur për personat që ishin infektuar me Covid 19.
Nga tragjedia e mbrëmshme humbën jetën 14 pacient, dhe 12 të lënduar.
