Ish-Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, pas 7 vitesh heshtjeje në skenën politike, sot për herë të parë ka reaguar për një gjë, e që është intervista e pasardhësit të tij në LSDM, Kryeministrit aktual, Zoran Zaev, dhënë dje për media bullgare.
“Në periudhën pas formimit të Qeverisë me në krye LSDM-në, nuk dola në publik që të mos çoj në situatë që të konfrontohem ose publikisht të kritikoj disa politika dhe hapa të partisë sime. Situata të tilla kishte disa herë. Ky qëndrim i imi do të vazhdonte edhe në të ardhmen nëse nuk do të ndodhte intervista skandaloze e Kryeministrit dhe kryetarit të partisë sonë, Zoran Zaev. Qëndrimet dhe tezat e thëna në atë intervistë kanë shkaktuar dhe do të shkaktojnë pasoja të rënda dhe afatgjata për popullin dhe shtetin maqedonas”, ka shkruar Cërvenkovski në reagimin e tij drejtuar mediave.
Ai më tej shton se është bërë dëm i madh e i parikuperueshëm. Sipas Cërvenkovskit, duhet që qartë të bëhet e ditur se qëndrimet e Zaevit nuk janë qëndrime të gjithë qeverisë e as të gjithë krerëve të shtetit. Ai madje u flet edhe anëtarëve të LSDM-së.
“Ju drejtohem juve të nderuar bashkëpartiakë që të theksoj për përgjegjësinë e veçantë që e keni në partinë tonë. Zoran Zaev është kryetar i LSDM-së dhe është detyra jonë që ta zvogëlojmë dëmin sa më shumë që mundemi. Nëse nuk ka asnjë lloj reagimi, qëndrimet e Zaevit do të bëhet qëndrime të përfaqësuara nga e gjithë LSDM-ja, ndërsa të jeni të sigurt se kjo do të ketë pasoja katastrofale në parti e më e keqja , edhe mbi shtetin”, shkruan ish-Presidenti Cërvenkovski.
