Nga sot, certifikata e shtetësisë do të jetë në dispozicion edhe në formë elektronike.
Dy ministrat, ai i administratës Azir Aliu dhe i punëve të brendshme Oliver Spasovski erdhën te “një pikë shërbimi” për ta promovuar projektin e ri E-shtetësia. Siç tha ministri Spasovski, qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të marrin certifikatën e shtetësisë në formë elektronike në e-mail dhe në telefon celular.
“Kërkesa dorëzohet në emër personal dhe për fëmijën e mitur, ndërsa shërbimi është i disponueshëm në ueb faqen www.uslugi.gov.mk, dokumente personale dhe shtetësi. Kërkesa mund të parashtrohet nga personi i cili kan shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është i regjistruar në portalin e shërbimeve elektronike, përmes Sistemit të vetëm për hyrje, gjegjësisht portalit nacional për shërbime elektronike”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Spasovski shtoi se ky është një aspekt i rëndësishëm i procesit të integrimit evropian, sepse sic tha, është edhe mjet i suksesshëm në luftën kundër korrupsionit”, theksoi Spasovski.
E sipas ministrit Aziri përmes këtij projekti do të eliminohen zvarritjet e marrjes së shërbimeve.
“Po fillojmë të promovojmë shërbimet dixhitale që kemi zhvilluar së bashku me ministritë dhe institucione të tjera që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve. Vlerësojmë se përmes dixhitalizimit do të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve, në kohë reale, me një ndikim të reduktuar nga ana e administratës, për të cilën, për fat të keq, deri më tani ka pasur zvarritje në marrjen e shërbimeve”, deklaroi Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Ndryshe çmimi për certifikatë të shtetësisë në formë elektronike është 150 denarë (100 denarë tarifë administrative dhe 50 denarë për formularin) dhe mund të paguhet në mënyrë elektronike në momentin e dorëzimit të kërkesës. Në ambientet e një pikë shërbimi vetëm në vitin 2022 nga sporteli i MPB-së janë lëshuar 4000 lëndë dhe këtë vit nga 1 maji janë lëshuar 600 lëndë. Lëndët përfshijnë certifikatën e shtetësisë, certifikatën e të dhënave të adresës së fundit, certifikatën që shërben për fëmijën e parë të lindur, si dhe për fëmijën e dytë dhe të tretë, si dhe shumë nevoja të tjera.
