Çdokush ka të drejtën të zgjedhë nëse do të vaksinohet apo jo. Por shteti duhet të përkujdeset për shëndetin kolektiv, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, i pyetur nga gazetarët në lidhje me kufizimet e reja që do të fillojnë të aplikohen nga nesër.
“Nëse vendos të mos marr vaksinën dhe akoma të hyj në një zonë që ka më shumë se 30 persona, rrezikoj që të gjithë 29 personat e tjerë të infektohen nga unë. Kujdesi i shtetit është në shëndetin kolektiv. Unë ju bëj thirrje që të vaksinohemi sepse kjo është mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë dhe për t’iu kthyer jetës normale. Të gjitha vaksinat janë të shëndetshme dhe të miratuara në të gjithë botën. Amerika tashmë ka filluar të japë një dozë të tretë për ata me imunitet të dobët. Ne ndjekim pozicionet e ekspertëve ndërkombëtarë në lidhje me vaksinimin dhe patjetër që duhet të sillemi si pjesa tjetër e botës”, tha kryeministri Zaev, gjatë inspektimit të aktiviteteve për rindërtimin e rrugës Krivogashtani-Zhitoshe.
Në të njëjtën kohë, kryeministri theksoi se shteti ka një sasi të mjaftueshme të vaksinave.
