Çdo e treta vajzë e moshës 15-vjeçare në Maqedoni, apo 31 % e tyre thotë se është e vetmuar, dhe çdo e dyta e së njëjtës moshë thotë se në 12 muajt e fundit është ndjerë e trishtuar dhe e pashpresë, për ditë por edhe javë të tëra, tregon analiza e Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën. Psikologia Sumeja Hamzi thotë se vetmia ndikon keq në shëndetin mendor tek të miturit, ndërsa rekomandon që prindërit të jenë mbështetësit më të madhej të fëmijëve dhe në raste të veçanta të kërkohet ndihma e profesionistëve, si psikologët.
“Vetmia dhe izolimi kanë një ndikim të rëndësishëm negativ në shëndetin mendor, ndaj ekspertët rekomandojnë disa mënyra për t’i reduktuar ato: Kufizimi i përdorimit të rrjeteve sociale, aktiviteti fizik i rregullt, gjumë të mjaftueshëm, vullnetarizmi, kultivimi i miqësive të vërteta, ndihmë profesionale, jo të gjithë fëmijët dhe të rinjtë janë të vetmuar për të njëjtën arsye. Pavarësisht kësaj, gjëja më e rëndësishme është të mos t’i lini fëmijën apo të riun të përballet vetë me këto probleme. Prindërit mund dhe duhet të jenë mbështetës dhe ndihmës kur është e nevojshme. Duke i inkurajuar me butësi, por me këmbëngulje që të flasin për mënyrën se si ndihen, duke i inkurajuar edhe prindërit të kërkojnë ndihme nga profesionist se si t’u qasen fëmijëve të tyre për t’i ndihmuar ata të përballen më lehtë me vetminë dhe problematika jetësore”, Sumeja Hamzi, psikologe.
Fenomen shqetësues i kohëve moderne janë bullizimi, pra ngacmimi, qoftë edhe online, ose edhe më keq, shantazhi mes të rinjve përmes fotove ose videove, gjë që mund të sjellin edhe më të keqen, andaj psikologia Hamzi rekomandon që prindërit t’ua kufizojnë fëmijëve rrjetet sociale.
“Më shume dimë për ndikimin negativ te tyre qe nxisin në vetëvrasje apo rastet në tentativë, siç është kiberbullizmi, shantazhi nëpërmjet mesazheve, fotografive, kjo për rrjedhojë nga personi kuptohet se nëse ajo gjë bëhet viral, nuk ka si ndalet dhe personi në fjalë mund të thyhet psiqikisht. Duke marrë parasysh që vetëvrasja është fenomen më i hershëm se sa rrjetet sociale, por mund të theksoj se rrjetet sociale janë një gjenerator për kryerjen e një akti te tillë. Andaj, prindërit, kujdestarët, duhet t’ua kufizojnë përdorimin e rrjeteve sociale dhe angazhimin me aktivitete tjera”, shtoi Hamzi.
Analiza e Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka treguar se është rritur edhe numri i përvojave seksuale të 15-vjeçarëve nga Maqedonia. Mesatarisht 30% e djemve dhe 5% e vajzave kanë dhënë përgjigje se ishin seksualisht aktiv.
