Çaushoglu: Nëse Azerbajxhani kërkon Turqia do të ndërhyjë në Nagorno-Karabah

TË FUNDIT

Azerbajxhani është i aftë ta çlirojë territorin e tij vetë, por nëse dëshiron mbështetje dhe kërkon ndihmë, ne do të jemi me ta, deklaroi ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çaushoglu.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në rajonin e Kaukazit, Nagorno-Karabah, të populluar kryesisht nga armenët, i cili “de jure” është pjesë e Azerbajxhanit.

“Me këto sulme, Armenia e injoron të drejtën ndërkombëtare. Në këtë duhet të përgjigjet sepse Azerbajxhani po lufton në territorin e tij. Në cilën pjesë të botës do të trajtoheshin okupatori dhe të okupuarit në të njëjtën mënyrë”, theksoi Çaushoglu.

Deklarata e Çaushoglut pasoi pas pretendimeve të Armenisë se Turqia është e përfshirë në konfliktin e Nagorno-Karabahut. Ministria armene e Mbrojtjes njoftoi dje se një aeroplan turk rrëzoi një avion të Forcave Ajrore Armene gjë që u mohua nga zëdhënësi i presidentit turk dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Azerbajxhanit.

Edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, dje e mohoi se Turqia po merr pjesë në konfliktin e Nagorno-Karabahut.

“Këto janë lajme të rremë. Nuk ka asnjë provë që Turqia është e përfshirë në konflikt dhe nuk ka nevojë për të. Azerbajxhani është mjaft i përgatitur për ta mbrojtur popullin dhe territorin e tij”, tha Alijev.

Situata në Nagorno-Karabah u përshkallëzua javën e kaluar, ndërsa Baku dhe Erevan e fajësojnë njëri-tjetrin për fillimin e luftimeve. Në ditën e katërt të përshkallëzimit të dhunës edhe sot vazhdon këmbimi i zjarrit artilerik midis ushtrive armene dhe azerbajxhanase në Nagorno-Karabah./MIA