Çajla e Gostivarit është zbrazur/ Rrugëve takon vetëm pleq, të rinjtë janë në kurbet

TË FUNDIT

Shpërngulja dhe emigrimi mbeten “dhimbja” më e madhe për Pollogun! Të rinjtë në masë të madhe e braktisin vendlindjen. Kësaj nuk i ka shpëtuar as fshati Çajlë e Gostivarit. Sipas kryetarit të bashkësisë Lokale, Sinan Elezi, shumica prej 1050 shtëpive të fshatit në këtë periudhë janë të zbrazura, ndërsa kanë mbetur vetëm pleqtë.

“Vetëm Çajla re ka 850 shtëpi dhe bashke me Çajlen e vjetër ka 1050 shtëpi dhe në bazë të banorëve që banojë këtu 90% janë jashtë, këtu ka vetëm pensionistë, por edhe ata shkojnë në kurbet se i kanë fëmijët dhe nuk ka kush t’i shohë, i kanë lënë të gjithë shtëpitë bosh. Me të vërtete migrimi në Çajle jo pak, por shumë është për tepër.”- deklaroi Sinan Elezi, Bashkësia Lokale Çajle.

Banorët thonë se në këtë fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit, ndërsa mungesa e punës bën që të rinjtë të shpërngulen në masë të madhe.

“Shumë pak kanë mbetur të rinj dhe në gishta mund t’i numërosh, shkuan i përzunë nga këtu, shih fshatin gjithë pleq kemi mbetur, nga një apo dy në shtëpi, nga dy mirë por nga një jemi çka do të bësh. Pse ikin të rinjtë?
Pse s’kanë punë, gjithë me partitë fut, nxjerr, fut, nxjerr, duhet familje të mbaje kush rri nga qejfi të ikin 2 mijë kilometra larg.”

“Shkollat më tepër janë pa nxënës dhe kjo ka të bëjë me prindërit, pasi ata kur shkojnë i marrin edhe fëmijët me vete se nuk kanë ku t’i lënë dhe del në mërgim, edhe unë kur dola para 50 viteve në Amerikë, edhe ne s’kishim mjaftueshëm.”

Shëtitëm disa lagje në këtë vendbanim! Shtëpitë janë të mbyllura, rrugicat të boshatisura.

“Kjo është njëra nga lagjet në fshatin Çajle të komunës së Gostivarit, ku nga pamjet mund të shihet se kjo lagje është e boshatisur.”

Një hulumtim i bërë nga profesori Bashkim Selmani mbi arsyet e ikjes së të rinjve tregon se mungesa e pasja e punës dhe kriza financiare shkatërron edhe familjet, krijon zënka, ndërsa në bazë të hulumtimit, ata që nuk e kanë lëshuar vendin si arsye kanë se kreditë që duhet t’i lajnë.

“Nga anketa e 300 të anketuarve është konstatuar se çdo i treti është i gatshëm ta lëshojë atdheun, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kjo është një shifër jashtëzakonisht e vështirë edhe e rëndë. Ata që janë në institucione janë të detyruar ose kanë detyrime të kredive, vetëm ata nuk kinin, pjesa tjetër është e gatshme për të ikur dhe lëshuar Maqedoninë, kjo është një dëbim masiv.”- thotë Bashkim Selmani, profesor universitar.

Javë më parë Televizioni 21 publikoi të dhëna se në Tetovë vetëm për 4 muajt e parë të vitit, 201 nxënës të shkollave të mesme dhe fillore kishin marrë fletëshpërngulje për të ikur jashtë shtetit, gjersa nga ana tjetër të dhënat tregojnë se në shumë kompani mungojë punëtorë të kualifikuar.