Fatmir Bytyqi nga LSDM ka komentuar buxhetin e shtetit që sipas tij është prej buxheteve më skandaloze. Bytyqi tha se po manipulohet opinioni se gjoja po punohet në interes të qytetarëve dhe shtoi se në shumë sektorë ka zvogëlim të mjeteve dhe se nuk duhet pritur përmirësim të cilësisë.
Bytyqi kundërshtoi kryeministrin Hristijan Mickoski duke thënë se ka para të mjaftueshme në buxhetin e shtetit por siç thotë, nuk ka ndoshta për dëshirat e tyre.
“Ka para në buxhet. Nuk ka ndoshta për dëshirat e tyre megalomane dhe parazgjedhore dhe një gjë që në mënyrë konzistente e bën kjo parti që sapo erdhi në pushtet është që situatat t’i tregojnë apokaliptike që të krijojnë hapësirë për vendime qe janë vendime shumë të vështira por që të kalojnë pa diskutim… Dje ministrja e Financave doli me dy vendime skandaloze, mendoj që çdo qytetar duhet ta brengosin”, deklaroi në Daily Click, Fatmir Bytyqi – LSDM.
Ish zv/kryeministri për Çështje Ekonomike, tha se qeveria e re po manipulon me rritjen lineare të pensioneve. Bytyqi thotë se pensionistët gjithsesi se do të kishin rritje sipas metodologjisë së harmonizimit, dhe se sipas tij, diferenca tani është vetëm 1000 denarë.
“Rritje në shtator patjetër se do të kishte, sepse do të kishim harmonizim të pensioneve, ja po e them publikisht një pjesë e kategorisë së pensionistëve do të marrin realisht, ndoshta në konton e tyre 2500 denarë, por diferenca mes asaj që do e merrnin gjithsesi, dhe asaj që sot e marrin, është 1.000 denarë, për një pjesë të kategorive, për një pjesë të pensionistëve diferenca është zero”, u shpreh në Daily Click, Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Ndryshe, Qeveria aktuale vendosi për rritje lineare të pensioneve për 5000 denarë. Faza e parë prej 2500 denarëve do të fillojë nga shtatori i këtij viti, ndërsa faza e dytë plus 2500 denarë nga muaji mars. Bytyqi foli edhe për Fondin Pensional. Ai shtoi se sipas rishikimit të buxhetit nga qeveria e re, shumë shpejtë do të jetë para kolapsit. Bytyqi thotë se sipas gjitha parashikimeve, popullata jonë po vjetërsohet, ndërsa shumë shpejtë mund që numri i pensionistëve të kalojë atë të personave aktivë në punë.
