Bytyqi: Krijojmë klimë të favorshme dhe të parashikueshme biznesi

TË FUNDIT

Qëllimi ynë final është që të krijojmë rrethinë të sigurt dhe të parashikueshme biznesi për investitorët, si për kompanitë vendore, ashtu edhe për investitorët e huaj dhe ta ngritim konkurrencën, të jemi të gatshëm për hyrje në BE, deklaroi zëvendëskryeministri  përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, duke folur në panelin “Trasimi i rrugës për rritje dhe zhvillim në periudhë pas Kovid-it”, që u mbajt në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor, organizuar nga revista me famë botërore “Economist”, që po mbahet sot në Shkup.

Zëvendëskryeministri vuri në dukje se dy vitet e fundit kanë sjellë shumë sfida, të panjohura deri më tani, për të gjitha vendet në botë dhe se të gjitha ato sfida dhe veprimtari të ndërmarra për t’i kapërcyer ato duhet të shihen përmes një prizmi pozitiv, sepse shoqëria duhej të adaptohej shpejt, për të krijuar kohezion shoqëror midis të gjithë palëve dhe për të marrë vendime të shpejta dhe korrekte që do të zvogëlojnë efektet negative të krizës dhe do të sigurojnë kushte për rimëkëmbje të shpejtë dhe rritje ekonomike në periudhën pas Kovid-it.

“Kjo krizë ka vërtetuar se zinxhirët e furnizimit, me prokurime nga vendet e largëta, nuk janë të qëndrueshëm, dhe kjo është ajo ku ne shohim shansin tonë të përbashkët. Është e nevojshme që ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, të përqendrohemi në rritjen e konkurrentshmërisë rajonale, në vend që të intensifikojmë konkurrencën reciproke dhe kështu të krijojmë një treg të përbashkët, i cili do të kompensojë dhe forcojë vlerën e shtuar pranë zinxhirëve të furnizimit”, theksoi Bytyqi.

Bytyqi iu referua edhe mundësive për investime në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se vendi ynë ofron kushte vërtet të mira për realizimin e investimeve të të gjitha kompanive. Ai shtoi se 4 vjet më parë, Qeveria mori vendimin e duhur, i cili nuk bën më dallim midis investitorëve vendas dhe të huaj, pra siguron kushte të njëjta dhe transparente për marrjen e mbështetjes shtetërore për të gjitha kompanitë që plotësojnë kriteret.

“Vendndodhja gjeografike është afër tregjeve kryesore. Shkupi është 240 km nga porti i Selanikut dhe gjendet në korridorin kryesor të transportit në zemër të Evropës. Produktet mund të transportohen në një kohë të shkurtër në tregjet evropiane dhe kjo kursen kohë, zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshëm dhe mundëson një përgjigje vërtet të shpejtë ndaj nevojave të tregjeve në vendet e Bashkimit Evropian”, deklaroi Bytyqi.

Kur flasim për mbështetjen drejtë kompanive, Bytyqi, theksoi se mbështetja nga shteti në investime është konkurruese dhe e harmonizuar me rregullat e BE-së.

“Vitin e kaluar ne kemi krijuar sistemin një pikë shërbimi për të gjithë investitorët, dhe ky është kabineti im. Ne kemi shkurtuar procesin e vendimmarrjes për marrjen e mbështetjes shtetërore për kompanitë, kemi lehtësuar procesin e aplikimit dhe nëse më parë duhej një vit për të marrë një vendim për marrjen e mbështetjes shtetërore, tani është zvogëluar në vetëm dy muaj. Ne jemi duke e ridefinuar Kodin Doganor dhe duke e harmonizuar atë me BE-në, e cila do të rezultojë në një situatë edhe më konkurruese për industrinë përpunuese në të ardhmen e afërt”, shtoi Bytyqi.

Bytyqi ftoi dhe inkurajoi kompanitë nga BE-ja, të cilat në të kaluarën kishin probleme me zinxhirët e furnizimit, të marrin në konsideratë investimin në vendin tonë ose në një nga vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor dhe të përfitojnë nga afërsia e rajonit tonë me BE-në , si dhe përfitime të tjera për realizimin e investimeve të reja që shtojnë vlerë.

“Çdo kompani që aktualisht po përballet me probleme të zinxhirit të furnizimit dhe që po shqyrton afrimin, duhet të marrë parasysh investimin në Maqedoninë e Veriut. Dhe jo vetëm në vendin tonë, për të marrë parasysh investimin në vendet e tjera të rajonit, sepse mund të jemi të vegjël veç e veç, por si rajon, në tërësi, së bashku krijojmë një treg të fortë dhe konkurrues. Qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë një mjedis biznesi të sigurt dhe të parashikueshëm për investitorët, si për kompanitë vendase ashtu edhe për investitorët e huaj, dhe për të rritur konkurrentshmërinë, për të qenë gati për pranimin në BE”, potencoi Bytyqi.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri theksoi se aktualisht po zbatohet procesi më i rëndësishëm strategjik, që është krijimi i një Strategjie Zhvillimore Kombëtare afatgjate 2021-2041.

“Po punojmë në këtë dokument strategjik për planifikim afatgjatë, në 9 muajt e fundit dhe ka ende punë për të bërë. Por pas 30 vjetësh, ky është një vizion shumë i nevojshëm se ku dhe si ne si vend duhet të ecim përpara në të ardhmen. Zhvillimi i Strategjisë Kombëtare është një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës, ai jep perspektivë nga konteksti më i gjerë i vendit tonë dhe do të na japë një pamje shumë të qartë se ku jemi tani, ku duhet të shkojmë dhe cila është mënyra më e mirë për të arritur atje”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi diskutoi për sfidat aktuale të krizës së Covid-it, si dhe reformat që duhet zbatuar gjatë kësaj periudhe, për një konkurrentshmëri më të madhe të ekonomisë dhe kohezionit social, së bashku me Jeron Dajseblum, anëtar i Bordit të sigurisë së Holandës dhe ish-kryetar i Eurogrup, Mateo Rivelini, udhëheqës i Divizionit Adriatik në Bankën Evropiane të Investimeve dhe Andi Aranitasi, udhëheqës i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Maqedoninë e Veriut.

MARKETING I PAGUAR POLITIK