Kompania “Bushi Fashion” ka blerë objektin e ish “Tehnometal Vardarit” në rrugën “Maqedonia” në Shkup. Këtë për TV21 e konfirmuan nga menaxhmenti i kompanisë.
“Është e vërtetë, objekti në fjalë është nën administrimin e kompanisë sonë dhe i njëjta shit-blerje është e mbyllur para dy viteve, gjegjësisht para krizës ekonomike nga pandemia e Covid-19”, thonë nga menaxhmenti i “Bushi Fashion” për TV21.
Nga kjo kompani thonë se aktualisht po punohet për pastrimin e godinës.
“Momentalisht po merremi me pastrimin e mbeturinave nga gjendja e rëndë e objektit të harruar një kohë të gjatë dhe ringjalljen e tij”, thonë nga kompania “Bushi Fashion”.
Të pyetur nëse në këtë lokacion planifikohet të ndërtohet hotel, nga kompania thonë se po bëhen vlerësime dhe se në momentin që do të merret vendim konkret, do të njoftohet publiku.
“Ende plani nuk është konkret po bëhen analizat e fundit po pas ndonjë plani konkret do te ketë edhe qëndrim për publikun. Për shkak se kriza ekonomike ka bërë edhe një ngërç në investimet konkrete”, thonë nga menaxhmenti i “Bushi Fashion”.
Objekti në fjalë është ndërtuar në vitin 1980, ndërsa ka një sipërfaqe prej 8.000 metra katrorë.
Ndryshe, kompania “Bushi Fashion” është pronar i një hoteli elitar në Çarshinë e Shkupit, ndërsa familja që qëndron pas kompanisë janë artarë me traditë të vjetër./TV21
