Bursa amerikane për naftë shënoi ulje rekorde! Në RMV nuk ndryshohet çmimi, por rritet akciza

TË FUNDIT

Izolimi për shkak të virusit korona dhe ndalesa e të gjitha llojeve të transportit në botë, duket se ka dhënë efektet e saj në bursën e derivateve të naftës në Amerikë.

Gazetare, Fatbardha Curri:
“Derivatet e naftës dje kanë shënuar uljen rekorde apo historike në bursën botërore. Kjo për faktin se çmimi është ulur nën zero dollarë”.

Kjo rënie në bursën botërore nuk do të ndikojë në çmimin e derivateve të naftës në vendin tonë, për shkak se Maqedonia e Veriut çmimet e naftës i sjellë varësisht bursës italiane. Në bursën evropiane, tash për tash nuk ka ndryshim të çmimit të naftës.

“Komisioni Rregullator për Energjetikë kur i përcakton çmimet e derivateve të naftës, i përcakton në bazë të bursës më të afërt, që është në Itali dhe nga atje i marrin të dhënat. Ndodhitënë SHBA nuk kanë pasur ndikim në bursën evropiane. Ka një ulje të caktuar”, tha Marko Bislimovski, Kryetar i KRRE-së.

Ndryshimet në bursën amerikane, por edhe të tjerat që mund të ndodhin gjatë kësaj jave, do të reflektohen gjatë javës së ardhshme.

“Ajo çfarë do të ndodh gjatë kësaj jave, do ta analizojmë gjatë javë së ardhshme kur do të sjellim vendim për çmimet e benzinës dhe dizellit”, tha Marko Bislimovski, Kryetar i KRRE-së.

Edhe pse ulje të çmimit të derivateve të naftës nuk do të ketë, nga sot është rritur akciza për 3 denarë. Me këtë rritje, deri në shtator Qeveria synon të sigurojë 18 milionë euro, kurse deri në dhjetor 31 milionë denarë. Këto mjete do të përdoren për ta luftuar krizën ekonomike të shkaktuar nga virusi korona.

“Dekreti është miratuar që të zbuten pasojat ekonomike nga shpenzimet e rritura për përballje me virusin korona, Kovid-19 dhe për sigurim të mjeteve për servisim të rregullt të nevojave buxhetore, kurse duke e pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në shtet, ndalesat dhe lëvizjet e kufizuara të popullatës, gjendjen ekonomike në shtet dhe ulja e konsumimit të lëndëve djegëse gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Muhamed Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.

Për Bislimovskin rritja e akcizës nuk paraqet një problem, pasi siç thotë ai dhe siç kumtuan nga shërbimet qeveritare, Maqedonia e Veriut ka vlerën e akcizës më të ulët në rajon dhe rritja e saj nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit final të derivateve të naftës.