Burimi i ndotur-struganët 6 ditë pa ujë! Dorëhiqet drejtori i ndërmarrjes, komuna ende pa qëndrim 

TË FUNDIT

Dita e gjashtë që struganët nuk mund ta konsumojnë ujin në asnjë lloj forme! Kjo për shkak të papastërtisë në burim.

Banorët janë të revoltuar, ndërsa thonë se krejt kjo po ndodh për shkak të gërmimeve mbi burimin e fshatit Shum.

Kjo situatë pa zgjidhje bëri që drejtori ndërmarrjes të japë dorëheqje.

“Duke parë këtë aspekt unë falënderoj kryetarin Mendi Qyra për besimin e dhënë dhe në të njëjtin moment unë jap dorëheqje”, tha Mexhiat Jusufoski – Drejtor i NP “Ujësjellësi në Strugë”.

Jusifovski po ashtu tregoi se i ka informuar të gjithë institucionet kompetente, qeverinë, Ministritë dhe Komunën, por sipas tij, askush nuk i doli në ndihmë.

Masa për këtë ka marrë edhe SPB Ohër.

“Po punohet intensivisht dhe do të shohim si do të zhvillohet. Prokuroria po merret me rastin dhe do të shohim në çfarë drejtimi po shkohet. Përderisa gjenden elemente për vepër penale, atëherë do të kemi kallëzim”, pohoi Stefan Dimovski – zëdhenës SPB- Ohër.

Prokuroria e Strugës konfirmon se ka hapur lëndë për të hetuar shkaqet që kanë sjellë në këtë gjendje.

PROKURORIA PUBLIKE STRUGË: 

-Në koordinim me MPB – SPB-Strugë, është lëshuar urdhër për policinë gjyqësore që të kryejë inspektim në një lokacion në fshatin Shum, ku ndodhen burimet nga të cilat furnizohet me ujë të pijshëm territori i qytetit të Strugës. Gjatë inspektimit duhet të jenë të pranishme edhe shërbimet kompetente inspektuese nga fusha e mjedisit jetësor, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, si dhe nga Qendra për Shëndet Publik. Do të ndërmerren edhe veprime të tjera kontrolli.

Nga Komuna e Strugës deri më tani nuk ka dhënë asnjë qëndrim për problemin. Kryetari Mendi Qyra shkurt i tha TV21 se shumë shpejt do të ketë një konferencë për media dhe brifing me gazetarët për t’i njoftuar me punët e tij në 100 ditët e para në kryer të Komunës.