Bullgaria shton masat e sigurisë për ndalimin e refugjatëve në vend

TË FUNDIT

Njoftohet se personeli i policisë kufitare dhe forcave tokësore të Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë do të operojnë së bashku kundër dyndjes së refugjatëve dhe azilantëve.
Zv.ministri i Brendshëm, Filip Gunev në një deklaratë njoftoi se më 25 gusht do të nisin një operacion të përbashkët për të parandaluar kalimin e emigrantëve ilegalë në pikat dhe vijat kufitare.

Në një takim të mbajtur në lidhje me çështjen e azilantëve në Ministrinë e Brendshme me pjesëmarrjen e Kryeministrit Boyko Borisov dhe të ministrit të Financave, Vladislav Goranov, Zv.ministri i Brendshëm Filip Gunev duke vënë në dukje se është marrë vendim që edhe ushtria të ndihmojë policinë në parandalimin e fluksit të azilantëve tha se “fillimisht Bullgaria, nuk është një korridor transit i lirë ashtu siç ka ndodhur në Maqedoni. Kufijtë tanë mbrohen shumë rreptë. Edhe brenda vendit janë marrë masa shumë serioze sigurie”.
Gunev i cili ka theksuar se personeli i policisë kufitare dhe të forcave tokësore të Ministrisë së Brendshme do të operojnë së bashku kundër dyndjes së azilantëve, tha se në 6 muajt e fundit në Bullgari janë ndaluar 15 mijë azilantë dhe se ketagorikisht nuk janë lejuar hyrjet ilegale në kufirin Bullgari-Maqedoni.

Filit Gunev ka shtuar më tej se refugjatët të cilët do të ndalohen duke tentuar për të kaluar në vendin e tyre nga Greqia, do ti rikthehen Greqisë në mënyrë legale.