Bullgaria shkruan memorandume, Osmani: Nuk nevojitet hap serioz kundër kësaj

TË FUNDIT

Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani nuk mendon se duhet të ndërmerret ndonjë hap serioz për memorandumin e Bullgarisë. Ai në pres konferencë me homologun e tij nga Shqipëria, Gent Cekaj foli se si duhet të zhvillohen negociatat në frymë për fqinjësi të mirë, por nuk foli se çfarë do të ndërmarrë ai,  nëse do të kërkojë takim me Sofjen zyrtare dhe vendet anëtarë të BE-së ose do të lërë që Bullgaria të lobojë fuqishëm për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin që të marrin përkrahje nga vendet e tjera të BE-së. Ai mendon se memorandumi është pjesë e komunikimit të vendeve anëtarë të BE-së ndërsa ne nuk jemi pjesë e këtij komunikimi.

-Bullgaria dha vërejtje unilaterale duke i shprehur qëndrimet e saj, megjithatë e aprovoi vendimin për fillim të negociatave pjesa e të cilave është edhe mbajtja e Konferencës ndërqeveritare. Nuk mendoj se duhet të imponojmë dinamikë negative të presioneve. Mendoj se gjatë periudhës parazgjedhore dhe për shkak të Kovidit kishte ngecje të intensitetit të komunikimit dhe çdoherë kur ndodh kjo paraqiten paragjykime dhe interpretime të ndryshme,- Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Nga LSDM-ja thonë se me Bullgarinë kemi marrëdhënie të mira dhe se çështjet e identitetit nuk na i mohon e gjithë bota. Kontestet bilaterale nuk do të jenë pengesë për fillim të negociatave, siguron Kostadin Kostadinov.

Unë sinqerisht jam i bindur se mollë sherri në rrugën tonë integrative drejt BE-së nuk do të jenë kontestimet bilaterale, në këtë rast, me Bullgari, deklaroi Kostadin Kostadinov, LSDM.

Por Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja tha se Kuvendi i Maqedonisë duhet të përpilojë Deklaratë që do ta kundërshtojë këtë memorandum.

-Mendoj se Kuvendi duhet t’i kundërpërgjigjet Kuvendit të Bullgarisë duke miratuar një deklaratë të përbashkët në të cilën identiteti i popullit maqedonas, gjuha maqedonase dhe të gjitha karakteristikat kulturore dhe nacionale do të konfirmohen bashkërisht,- tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Një ditë pas publikimit të dokumentit, mediat e Bullgarisë dhe Maqedonisë e kanë publikuar në tërësi, ku në 6 faqe janë shkruar kërkesat që Maqedonia të heqë dorë nga minoriteti maqedonas në Bullgari, thuhet se maqedonasit si komb janë projekt i Titos ndërsa gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri më 2 gusht 1944 dhe se bëhet fjalë për dialekt bullgar.