Ministri i Energjisë i Bullgarisë, Aleksandër Nikolov, ka thënë të mërkurën se ky vend është i hapur për të shqyrtuar pasojat ligjore kundër Moskës, pasi gjiganti energjetik rus, Gazprom, ka ndaluar furnizimet me gaz për Bullgarinë, raportoi CNN-i.
“Subjekti shtetëror, Bulgargaz, ka kryer pagesën dhe më pas paratë janë kthyer nga Gazpromi. Nëse po flasim për shkelje të kontratës, atëherë është e qartë nga perspektiva ligjore se kush e ka shkelur kontratën”, ka thënë Nikolov.
Ai ka shtuar se gjatë kohës kur Rusia kërkoi që të gjitha pagesat e gazit të bëhen në rubla, Bullgaria refuzoi dhe kërkoi sqarime mbi detajet e mekanizmit, por nuk mori përgjigje nga Gazpromi.
“Ne ishim të qartë se do të ndjekim një qëndrim të përbashkët me Bashkimin Evropian. Nuk do ta pranojmë faktin që njëra nga palët brenda kontratës vendosi të ndryshojë tërësisht mekanizmin e pagesës, kështu që përfunduam këtu ku jemi sot, por gjithsesi po përpiqemi në këto rrethana të vështira të ndjekim të gjitha parakushtet sipas kontratës ekzistuese”, është shprehur ai.
Ministri i Energjisë ka njoftuar se Bullgaria ka shqyrtuar të gjitha zgjidhjet e mundshme në drejtim të diversifikimit të energjisë dhe po përpiqet të zgjerojë partneritetin me rajone të tjera.
