Marrëdhëniet me Bullgarinë kishin rënë në nivel shumë të ulët – tha dje në takim me gazetarët, kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai shtoi se mbeten çështjet e hapura me fqinjin tonë, por për këtë nuk duhet të shpejtohet. Ekziston shpresë se për gjashtë muaj përmes institucioneve mund të gjendet zgjidhje e cila do të jetë në përputhje me rezolutën e miratuar në Kuvendin e Maqedonisë, vlerësoi Kovaçevski.
Një ditë pas vizitës së Qeverisë në Sofje, në mediat bullgare u analizuan deklaratat e kryeministrave. Sipas ekspertëve, po përgatitet pozitë e re ndaj Maqedonisë.
“Katalizatori më i fuqishëm i ndryshimit të tillë, sipas meje, mund të jetë një pozitë e re e Bullgarisë në raportet me RMV. Kjo që po ndodh tani, shoh se po shpejtohet për gjetjen e zgjidhjes së shpejtë të çështjeve të cilat janë akumuluar me dekada”, tha Bijko Noev, ekspertë për siguri kombëtare.
Mbrëmë në Click Plus përfaqësuesi i deritanishëm special për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, u “sulmua” se e ka rritur oreksin e Bullgarisë.
“Dukshëm aq gabimisht ka biseduar me bullgarët, që ua ka rritur aq oreksin që sot të kemi hapje zyrtare në temën ri-bullgarizimi i Maqedonisë”, tha Petar Bogoevski, Koncepti Maqedonas.
Një prej anëtarëve të komisionit të përbashkët me Bullgarinë, thotë se është kyçe kur bullgarët do të shkruhen në Kushtetutën e Maqedonisë, duke shtuar se duhet të ketë garanci të qarta se kjo do të jetë në afat të kuptueshëm.
“Pritshmëritë tona janë në tre muajt e ardhshëm deri në maj, të shohim nëse mundet ashtu siç është ritmi i grupeve tjera të punës që të vendoset ritëm edhe në komisionin tonë për çështje historike dhe arsimore”, tha Doc. prof. Naum Kaiçev, Komisioni maqedonas – bullgar.
Kryeministri Kovaçevski, mbrëmë në brifing me gazetarët tha se edhe nëse ka një parashtresë nga një bullgar në Maqedoni, ai ka të drejtë për mbrojtje para ligjit. Shton se kjo gjë duhet të zgjidhet dhe të njoftohen autoritetet bullgare. Përndryshe të premten parlamenti bullgar dhe maqedonas do të referojnë për negociatat mes dy vendeve.
