Repartet Covid në spitalet në Bullgari janë të stërmbushura! Dje ishin 7.553 pacientë të hospitalizuar, 656 prej të cilëve në trajtim intensiv. Të dhënat tregojnë se mbi 90% e pacientëve ende nuk janë vaksinuar. Dje janë regjistruar 5.178 raste të reja dhe 124 të vdekur, me çka numri i të vdekurve në këtë vend arriti deri në 23.718, kurse brenda dy javëve të fundit Bullgaria kishte shkallë më të lartë të vdekshmërisë nga virusi korona në krahasim me vendet e tjera të BE-së.
Serbia renditet e treta sipas numrit të pacientëve të hospitalizuar në një milion banorë. 6.724 pacientë trajtohen në institucionet shëndetësore dhe spitalet e përkohshme në shtetin serb, tregojnë të dhënat e faqes „ourworldindata.org” e cila mbledh dhe publikon informacione dhe tabela për pacientët e infektuar nga e gjithë bota.
Tri vendet e para në botë janë SHBA, Britania e Madhe dhe Serbia. Sa për krahasim, në SHBA ka 47.612 pacientë të shtruar me covid, në Britani të Madhe-8.238, kurse në Serbi-6.724.
Sipas numrit të të hospitalizuarve në një milion banorë, në 10 vendet e para është edhe Kroacia. Në Serbi ka më shumë të hospitalizuar sesa në Francë, Itali dhe Portugali, vende këto të cilat ishin vatra të koronavirusit dhe në të cilat jetojnë më shumë njerëz sesa në Serbi. Deri më 24 tetor, në Serbi ishin regjistruar gjithsej 1.098.209 raste të koronavirusit, kurse numri i përgjithshëm i pacientëve që e kanë humbur betejën me këtë virus është 9.509.
Nga 384 raste të konfirmuara të llojit delta, në Greqi në periudhën 29 shtator-18 tetor, dy raste janë identifikuar si Delta plus, që njëkohësisht janë edhe rastet e para të konfirmuara të këtij mutacioni, kurse janë regjistruar në zonën qendrore dhe jugore të Athinës. Sipas mediave botërore, lloji delta plus është prezent në Britani të Madhe, kurse një numër i vogël rastesh janë paraqitur edhe në Danimarkë, Gjermani, SHBA, Izrael dhe Rusi. Të hënën, Ministria e Shëndetësisë së Qipros, kumtoi se edhe në këtë ishull janë konfirmuar dy rastet e para të llojit delta plus.
Në Slloveni spitalet janë të stërmbushura me 3.000 dhe 4.000 të infektuar në bazë ditore, kurse në trajtim intensiv për momentin janë 133 pacientë. Për këtë arsye, Ministria e atjeshme e Shëndetësisë paralajmëron se në qoftë se situata nuk përmirësohet, do të vendosen masa më të rrepta për periudhën që vijon. Mes këtyre masave përflitet se mund të jetë edhe rikthimi i karantinës.
