“Jeni rrëmujë ju djema. Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp që një vend i NATO-s, kidnapon dy vende tjera të NATO-s”
Ky fjalor i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Bruksel ka ngjallur reagimin e ministrisë së Jashtme bullgare. Nga atje kërkojnë që kryeministri shqiptar të rregullojë komunikimin!
“Presim që kryeministri shqiptar të marrë parasysh mjetet e tij shprehëse në një gjuhë që i përshtatet një politikani nga një vend kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë nivel, më shumë se çdo gjë tjetër, ne insistojmë të ruajmë një ton të mirë komunikimi”, deklaroi MPJ e Bullgarisë.
Shumë shpejtë erdhi dhe përgjigja e Ramës, i cili përmes tuiterit kërkoi që bullgarët ose ta heqin veton ose ta durojnë fjalorin e tij.
“Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni”, shkroi Edi Rama – kryeministër i Shqipërisë.
Ndryshe Rama dje pas zyrtarizimit të vendimit për të mos marrë një datë për negociatat, aspak nuk ka kursyer kritikat edhe ndaj BE-së. Ai tha se Bashkimi Evropian është shndërruar në një realitet qesharak pasi shtetet më të fuqishme të botës kanë ngrirë për shkak të problemeve të një tjetër vendi.
