“Bullgarët në Kushtetutë, nëse RMV dëshiron BE”, përmendorja zëvendësohet me një të re në Prilep, Bullgaria notë proteste

TË FUNDIT

Pllakë e rëndë prej dy tonëve në nderë të dukës Vellko Skoçivirçeto dhe tetë bashkëluftëtarëve të tij është zhdukur nga kisha në fshatin Klepaç të Prilepit. E për këtë Bullgaria dërgoi notë protestuese deri te ambasada maqedonase në Sofje.

BULLGARIA DËRGOI NOTË PROTESTUESE DERI TE AMBASADA MAQEDONASE NË SOFJE

“Ministria bullgare e punëve të jashtme, i ka dorëzuar notë protestuese shefit të përkohshëm të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sofje, Vlladimir Kërstevskit, për rastin e përmendores së zëvendësuar bullgare në territorin e Maqedonisë”.

Është konfirmuar se shkresa origjinale e cila ka qenë në gjuhën bullgare është zëvendësuar, ndërsa pjesë të tekstit janë larguar dhe disa emra të ushtarëve të vrarë janë ndryshuar.

Viktor Stojanov: “Siç shohim, nuk ka vandalizëm por ndryshim. Është përpunuar pllakë e re e cila është vendosur, ndërsa pllaka e vjetër është zhdukur”.

BTV: A  e dini se ku është?

Viktor Stojanov: “Nuk e di po ne nga Fondacioni “Maqedonia” do të insistojmë që autoritetet e Maqedonisë së Veriut të bëjnë hetim, ta gjejnë pllakën e vjetër dhe së paku ta largojnë këtë falsifikim”.

Bullgaria insiston që të udhëhiqet hetim dhe të bëhet restaurimi i përmendores origjinale.

 “Ndryshimi i artefakteve historike është akt i shkatërrimit të pasurisë kulturore autentike dhe përpjekje për ndryshim të historisë, që shkakton brengosje serioze, duke përfshirë këtu edhe kontekstin për nevojën për zbatim të përpiktë të Marrëveshjes për miqësi, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim të vitit 2017”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

I pyetur për të drejtat e bullgarëve në Maqedoni, Stojanov tha se kanë realizuar edhe fushatë gjatë kohës së regjistrimit të popullsisë.

 “Mendoj se ajo nismë jep rezultat dhe sipas informacioneve tona jozyrtare, deri më tani rreth 13 mijë persona që janë prononcuar si bullgarë etnik, për dallim të vitit 2002 kur ishin 1 417 persona”, u shpreh Viktor Stojanov – kryetar i Fondacionit “Maqedonia”.

Stojanov shton se populli bullgar më së shumti dëshiron që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE, ndërsa për këtë angazhohet edhe Fondacioni “Maqedonia”.

 “Që të hyjë RMV në BE duhet tu japë të drejta të njëjta Bullgarëve me popujt tjerë atje. RMV është shtet multietnik dhe kjo është e shkruar në Kushtetutë, atje janë numëruar shtatë popuj, mes tyre nuk janë bullgarët. Kështu që pozita zyrtare bullgare është bullgarët të shkruhen në kushtetutë dhe të kenë të drejta të njëjta me popujt tjerë, si punë shtetërore, mundësi që të prononcohen si bullgar”, shtoi Viktor Stojanov – kryetar i Fondacionit “Maqedonia”.

Për idenë e tillë, autoritetet e Maqedonisë disa herë komentuan se nuk ka nevojë që bullgarët të vendosen në Kushtetutë me bashkësitë tjera etnike.