Bulevardi “Iliria” s’mund të bëhet shëtitore/ Përplasje mes komunës së Tetovës dhe SPB-së

TË FUNDIT

Komuna e Tetovës kërkon nga SPB Tetovë që për dy muaj bulevardi “Ilirija” të shndërrohet në shëtitore. Por kjo kërkesë për policinë është e papranueshme. Nga komuna akuzojnë se këtu ka prapavijë politike.

“Ngelemi të habitur se si MPB gjegjësisht SPB – Tetovë, nuk lejon realizimin e një aktiviteti i cili është në kompetence të plotë të pushtetit lokal, edhe pse jemi dëshmitarë se gjatë viteve të kaluara, ka qenë traditë që gjatë verës jo vetëm ky bulevard, por janë mbyllur edhe rrugë të tjera duke bllokuar edhe lagje të tëra dhe asnjëherë nuk i ka penguar MPB-së. Kjo nuk ka tjetër se si të shpjegohet përveçse një vazhdimësi e vendimeve me prapavijë politike kundër komunës së Tetovës dhe tetovarëve, që për fat të keq, këtë radhë shënjestër janë edhe mërgimtarët”.- deklaroi Besar Durmishi – anëtar I komisionit për kulturë.

Nga sektori për punë të brendshme thonë se ligji nuk lejon qe rrugët të konvertohen në shëtitore.

“Në lidhje me kërkesën e Komunës së Tetovës, për ndryshimin e regjimit të komunikacionit në pjesën e bulevardit “Iliria” në Tetovë, sipas nenit 155 dhe 156 me qëllim të krijimit të Shëtitores së diasporës, në periudhën prej datës 01.07 deri më 31.08.2022, nga ora 20:00 deri në ora 01:00, Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, NUK PAJTOHET që të miratoj kërkesën, për arsyet e mëposhtme: -Sipas nenit 347 paragrafi 1 i Kodit Civil, objektet e destinuara për qarkullim nuk lejohet të konvertohen dhe të përdoren për nevoja të tjera.”- pohoi Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB Tetovë.

Kjo nuk është hera e parë që komuna e Tetovës edhe sektori për punë të brendshme në Tetovë kanë pasur përplasje. Nga komuna e thonë se MPB  gjegjësisht SPB e bën për qëllime politike, ndërsa nga SPB thonë se komuna e Tetovës le t’i përkushtohet kompetencave që i përkasin si komunë.