“Bujqit do të marrin para atëherë kur kanë më tepër nevojë”, Kovaçevski thotë se modeli i ri për subvencionim do të jetë më efikas

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot prezantoi modelin e ri të subvencionimit në bujqësi, përcjell TV21. Kovaçevski tha se modeli i këtillë është zbatuar si pilot projekt në prodhimin e farave të lulediellit, dhe si rrjedhojë është dyfishuar prodhimi. Me modelin e ri bujqit do të marrin subvencione gjatë vitit që kanë aplikuar.

“Bëhet fjalë për model të krijuar sipas standardeve evropiane, më efikas dhe i përshtatshëm për sfidat që na solli kriza. Konkretisht, sistemi i deritanishëm përmes të cilit bujqit kanë marrë subvencione pa treguar se kanë bërë prodhimtari, zëvendësohet me di Coupling sistem. Me këtë sistem, bujqit do të marrin pagesë para kohe të subvencioneve që do t’i marrin në këtë vit, kur kanë konkurruar për subvencion, respektivisht atëherë kur kanë me tepër nevojë për para që të kenë prodhimtari bujqësore të qëndrueshme”, tha mes tjerash Kovaçevski.

Kovaçevski tha se me modelin e ri për subvencionim kanë për qëllim të rrisin prodhimin e ushqimit.

“Mbështetje shtesë do të marrin ata bujq që do të orientohen në prodhimin e kulturave strategjike me përdorimin e farërave të certifikuara, ndërsa prodhimin do ta dorëzojnë tek kapacitetet e regjistruara ose kooperativa bujqësore. Mbështetje shtesë është paraparë edhe për bujqit që nga prodhimi i tyre japin produkt final për shitje”, deklaroi Kovaçevski./tv21.tv