Pasi opozita shqiptare e shpalli kandidaturën e Arben Taravarit për President, TV21 mëson se edhe Bashkimi Demokratik për Integrim do të del me kandidatin e saj. Mësohet se brenda partisë ka pasur debat nëse kandidati duhet të jetë partiak apo jo partiak. Si jopartiak, janë përmendur Imer Selmani, Abdylmenaf Bexheti dhe Besa Arifi. Mirëpo pasi është shterrur debati, është vendosur që kandidati të vijë nga brenda partisë, ndërsa emri më serioz është ministri aktual i punëve të jashtme, Bujar Osmani. I pyetur para pak ditësh, Osmani tha se për këtë duhet të vendosë kryesia e partisë.
Paraprakisht përflitej që BDI dhe LSDM të dalin me kandidat konsensual për president, mirëpo pasi opozita shqiptare paralajmëroi kandidat, BDI u tërhoq nga kjo ide.
Sa i përket LSDM-së, emri më i pëlqyer brenda degëve partiake është ai i presidentit aktual, Stevo Pendarovski, tregoi anëtari i bordit ekzekutiv të socialdemokratëve Andrej Petrov për “Slloboden Peçat”
“Mendoj që ka më tepër kandidatë. Ka rreth 15 kandidatë që janë propozuar të themi… Stevo Pendarovski është njëri nga të propozuarit me më së shumti propozime nga degët komunale të LSDM-së mirëpo ka edhe të tjerë”, tha Andrej Petrov, anëtar i bordit eksekutiv të LSDM-së.
Por a pret Pendarovski mbështetje nga BDI pasi këta të fundit e kritikuan për mos dekretimin e ligjit për lojëra të fatit?
“Ligjin e sjellin 55 persona. Prej tyre 55, i gjithë grupi parlamentar i LSDM-së votuan “PËR”. Dmth duhet të më pyetësh nëse pres mbështetje nga LSDM. Vendimi do të sillet për pesë deri dhjetë ditë nga tani”, pohoi Stevo Pendarovski – president (14.02.2024).
I pyetur nëse ka frikë nga një kandidat eventual i përbashkët mes BDI-së dhe LSDM-së, Arben Taravari, tha se mjafton të ketë një fushatë europiane.
“Të tregojmë për atë që zotohemi gjatë kohë që padyshim që alternativë e vetme për Maqedoninë është rruga europiane, kështu që respekt për çdo kandidat, e bëjmë garën politike. Kush fiton ia urojmë njëri-tjetrit kështu që asgjë të keqe vetëm respekte për çdonjërin që mendon se duhet të kandidojë për president shteti”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE ende nuk e ka bërë të ditur emrin e kandidatit për president.
Përndryshe deri tani zyrtarisht kandidaturat për president shteti i kanë shpallur Arben Taravari nga opozita shqipatre, mjeku Velo Markovski si kandidat i pavarur dhe Biljana Vankovska nga Levica.
